
Shqipëria do të jetë për herë të parë në historinë e saj pjesë e fazës Play Off për Kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Një sukses i kuqezinjve në Andorra me rezultatin 0-1 falë golit të Asllanit dhe suksesi i Anglisë përballë Serbisë 2-0 vulos fatet e grupit.
Teksa pas 3 ditësh presim pikërisht Anglinë në “Air Albania”, tashmë gjithçka është vulosur.
“Tre Luanët” janë në krye të grupit me 21 pikë, Shqipëria e dyta me 14 pikë dhe Serbia e treta me 10 pikë.
Nëse Shqipëria do të jetë një nga 48 skuadrat më të forta të botës për t’u futur në fazën finale të Botërorit, atëherë shpërblimi është rreth 9 milionë euro, dhe më pas çdo fitore ka një shpërblim prej rreth 1.5 milionë euro dhe 500 mijë euro barazimi. Pra, një sukses sa sportiv aq edhe financiar.



