U desh një operacion masiv në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, i shtrirë nga Roma dhe Castelli Romani, për të parandaluar që lufta për territorin e shpërndarjes së drogës të kthehej në një masakër. Kjo pasi prej vitesh tashmë armët ishin ndezur, në tentativa për të hequr qafe rivalët. Një luftë e vërtetë mes dy grupeve italo-shqiptare, me drejtues nga njëra anë Ermal Arapajn të njohur me nofkën “Ufo” , e nga ana tjetër Elvis Demçen.

Vrasje të parandaluara falë arrestimeve, 27 prej të cilave të ekzekutuara mëngjesin e këtij 18 Janari, që nëse nuk do të ishin kryer, do ta kishin zgjeruar edhe më shumë listën e të “rënëve” nga lufta për drogën, pas atyre të Selavdi Shehajt, i njohur me nofkën “Simonçino”, edhe ky një shqiptar i vrarë në plazh në 2020-n, apo atë të Fabrizio Piscitelli-t, i njohur si “Diabolik” i vrarë në mes të ditës dhe që sipas hetimeve të fundit të karabinierëve, njeri shumë pranë Elvis Demçes. Nga ana tjetër, raportet mes ish-kreut të ultrasve të Lazios “Irriducibili” dhe shqiptarëve, sipas hetuesve janë të njohura.

Operacioni i fundit u koordinua nën drejtimin e Antimafias dhe Prokurorisë së Romës. 27 personat që u arrestuan falë këtyre hetimeve kishin role të ndryshme dhe akuzohen për disa vepra të rënda penale si trafik droge të rënduar nga metodat mafioze, armëmbajtje, kanosje, zjarrvënie, pengmarrje etj. Krime që siç shkruajnë media italiane, flasin qartë për dhunën mes dy grupe, atij të Arapajt dhe Demçes.

Kush janë Ermal Arapaj dhe Elvis Demçe

Hetimet e kanë gjenezën shumë herët në kohë. Ato nisin më 27 dhjetor të 2017-n, kur në Artena gjendet i karbonizuar trupi i Cristian Di Lauro, i cili ishte zhdukur ditën e Krishtlindjes. Një vrasje brutale që i dha mundësinë karabinierëve të Frascati që të nisnin një seri hetimesh dhe të thelloheshin edhe më tej tek figura e Arapajt dhe sesi i kishte futur këmbët në një grup të mirëstrukturuar. Ndërsa Demçe ra në radarët e hetuesve të Romës në Prill të 2020-s, menjëherë pasi doli nga burgu dhe u la në arrest shtëpie.

Hetimet të cilat zgjatën nga 2017 deri në 2020-n, bënë të mundur që autoritetet të binin në gjurmët e aktivitetit të pandërprerë të dy grupeve italo-shqiptare, “të cilët kishin një strukturë organizative solide dhe armë në dispozicionin e tyre”. Kundërshtarë të angazhuar në mënyrë të qëndrueshme në shpërndarjen e kokainës dhe hashashit.

Figura e Demces, që mbizotëronte në periferinë lindore të Prenestino-s, sipas hetuesve është në mënyrë të veçantë e spikatur. I konsideruar si pjesë e rrethit të Piscitelli-t, profili i tij është e një krimineli të rrezikshëm, i karakterizuar nga vullneti për të realizuar “me shpejtësi, nëpërmjet furnizimit me sasi të mëdha droge dhe marrjen e përfitimeve me mënyra të dhunshme”. Me pak fjalë, një kriminel i gatshëm për të bërë gjithçka. Emri i tij përfundoi në qendër të hetimeve për vrasjen e Federico Di Meo në 2013.

Rënia e Demçes dhe dhuna që ushtronte për të mbledhur të përfitimet

Karizma dhe kalibri i tij i shtynë autoritetet që ta profilizonin atë më mirë. Kështu, më 27 korrik të 2020-s dolën në dritë elementë të qartë të blerjes së një sasi të madhe lënde narkotike nga grupi i Demces. Drogë e cila u sekuestrua më pas më 7 gusht të po atij viti, kur gjatë kontrollit të një Porsche Macan në të cilën ndodheshin 2 të rinj u gjetën në bagazh 90 kilogramë hashash. Një tregues ky, sipas hetuesve, të mundësisë që kishte ky grup për të lëvizur sasi të mëdha droge, që mundësonin po ashtu të ardhura të mëdha.

Por nuk ishte vetëm ky aktivitet që karakterizonte Demçen. Ai shquhej edhe për metodat e rënda mafioze që përdorte për të fituar terren nga grupet kundërshtare. Sipas akuzës, djemtë e Demces përdornin forcën për të zmbrapsur rivalët. Në një rast në San Basilio, banda e dhunshme e Demces mori peng dy vëllezër në një prej shesheve të shpërndarjes së drogës në Romë në mënyrën që të rikuperonin një sasi parash prej 100 mijë eurosh, që derivonte nga një sasi droge që nuk korrespondonte.

Grupi i Arapajt, mes Castelli dhe bregdetit të Pontino

Më në periferi, operonte grupi i Arapajt, që në Velletri kishin një bazë operative. Grupi kriminal akuzohet se e kryente aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogës me itinerare dhe dërgesa në shtëpi, në mënyrë që të shmangnin kontrollet. Hetimet zbuluan se grupi furnizohej me kokainë nga bashkëkombës shqiptarë në zonën e Porto San Elpidio, komunë në provincën e Fermo nelle Marche, ndërkohë që jashtë ishin të lidhur me grupet holandeze dhe kolumbiane. Një rrjet aktiv në Romë dhe provincë, pjesëtarët e të cilëve përdornin si shtëpitë ku banonin, ku fshihnin një pjesë të drogës që do t’ia dorëzonin klientëve, ashtu sikurse edhe garazhe si baza për aktivitetin e tyre kriminal.

Konflikti mes Arapajt dhe Demçes

Arapaj e kishte provincën e rëndësishme. Ndërsa Demçes nuk i mjaftonte Roma. Kjo ishte dhe arsyeja përse dyshja, dikur në paqe, nisën luftën mes tyre. Sipas hetimeve të karabinierëve, tensionet nisën kur Elvis Demçe filloi të ‘reklamonte’ kontrollin e shesheve të shpërndarjes në Velletri, të drejtuara nga Ermal Arapaj, deri ditën kur Demçe doli nga burgu. Bisedat e përgjuara konfirmuan urrejtjen e Demçes për bashkëkombësin e tij, i cili pas arrestimit të tij kishte marrë menaxhimin, por pa i dhënë në këmbim asnjë të ardhur ekonomike.

Një fyerje kjo. Mungesa dëmshpërblimit bëri që Demçe të ndërmerrte një atentat ndaj rivalit të tij më 9 korrik të 2020-s në komunën e Lanuvio. Një atentat që Arapaj arriti t’i shpëtonte duke qëlluar i pari atentatorin që Demçe kishte porositur për eliminimin e tij. Ai e plagosi atë në këmbë. Mëngjesin e 5 shtatorit 2020, grupi i Demçes i vuri zjarrin një vile dhe makinave të Arapajt dhe partneres së tij në Velletri.

Një përshkallëzim i dhunshëm që e detyroi Arapajn të arratisej drejt Spanjës. Megjithatë pauza zgjati për një kohë të shkurtër. Aq sa në momentin që u rikthye në Itali, Arapaj kishte nisur të planifikonte në mënyrë të detajuar eliminimin e Demçes. Një plan ky që dështoi nga hetimet e operacionit Alba Bianca, në 9 shkurt të 2021-t, kur karabinierët e Latina vunë në pranga Arapajn. Pas arrestimit, autoritetet zhvilluan kontrolle në një banesë në Fermo ku jetonin Arapaj dhe partnerja. Aty u zbulua një pistoletë, një karikator, fishekë dhe një maskë silikoni me fytyrë mashkullore, të cilat hetuesit besojnë se do të përdoreshin për vrasjen e rivalit Elvis Demçe./tvklan.al

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re