Google prezantoi zyrtarisht Chrome 66 për Windows, Mac, Linux, Android dhe iOS.

Shfletuesi i përditësuar do të dërgohet tek përdoruesit në ditët në vijim. Disa prej veçorive të reja të shfletuesit janë ndryshimet në luajtjen automatike të videove, eksportimet e fjalëkalimeve dhe përditësimet e sigurisë.

Një prej më të spikaturave padyshim është luajtja automatike e përmbajtjeve e cila do të jetë e ndaluar dhe mund të aktivizohet vetëm manualisht.

Google gjithashtu shtoi një opsion për eksportimin e fjalëkalimeve. Ai mund të gjendet në Settings > Advanced > Passwords and forms > Manage passwords > Saved Passwords menu.

Klikimi i këtij opsioni hap një dritare të re ku u kërkohet fjalëkalimi i kompjuterit. Pas autorizimit fjalëkalimet eksportohen në formatin CSV.

Veçoria është e disponueshme edhe në Android dhe iOS. Vlen të përmendet edhe integrimi i pjesshëm i Site Isolation, një funksion i ri i cili duhej të përmirësojë sigurinë dhe të eliminojë sulme kibernetike me teknikat e Spectre/Meltdown.

Përditësimi manual i Chrome mund të realizohet ose duke vizituar google.com/chrome ose duke vizituar Settings > About Chrome. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re