Nga viti 2012, Google vijon të përjashtojë gjuhën shqipe nga platformat e tij të reklamimit dhe tashmë përballet me një padi për diskriminim ne gjykate e lartë te Kalifornisë.

 

Neshad Asllani dhe Haki Dervishi, dy shqiptaro-amerikanët që ndërmorën veprimet ligjore, kanë pranuar kërkesën e gjigantit të teknologjisë për të shtyrë afatin e gjykimit deri më 18 dhjetor, duke hapur kështu rrugën për bisedime.

 

NESHAD ASLLANI

“Gjykata e ka aprovuar padinë dhe tani jemi në një fazë ku Google ka kërkuar shtyrjen e afatit të gjykimit deri më 18 dhjetor. Google mbështet 49 gjuhë në mbarë botën, 27 në Evropë por akoma jo gjuhën shqipe.”

 

Neshad Asllani argumenton më tej se ky fakt ka penguar kompanitë, agjencitë e marketingut, këngëtarët, portalet e shumë të tjerë që të përfitojnë nga hapësirat online të reklamimit në Google.

 

“Shumë kompani do të përfitojnë nga reklamimi i produkteve dhe shërbimeve të tyre që do të jenë në rrjet në mbarë globin, aty ku flitet gjuha shqipe, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe në diasporë, kudo. Të përfitojnë duke u bërë pjesë e google ads. Bëhet fjalë për shuma marramendëse. Do të rrisë përfitimet me 70%, sikurse ka ndodhur në vendet ku gjuha e tyre mbështetet nga Google ADS. ”

 

Debati që vijon prej më shumë se një dekade tashmë, ka marrë vetëm shpjegime sipërfaqësore nga përfaqësues të Google.

 

“Ne po përpiqemi të japim mbështetjen e duhur edhe për Shqipërinë por kjo kërkon kohë dhe ne po punojmë për këtë. Ne nuk e urrejmë Shqipërinë, përkundrazi, e duam atë.”

 

Ky është rasti i parë i dokumentuar që Google përballet me një padi për diskriminim të gjuhës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re