KUÇOVË- Një grabitje ka ndodhur pasditen e djeshme në një dyqan celularësh në Kuçovë, ku ka mbetur i plagosur punonjësi. Policia ka arrestuar një prej autorëve.

Nga Specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Klaudio Naska, 25 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”, Kuçovë, i dënuar më parë për veprat penale “Armë mbajtje pa leje” dhe “Kanosje”.

25-vjeçari në lagjen “Llukan Prifti”, në bashkëpunim me një shtetas tjetër ende të pa identifikuar, pasi ka goditur me mjet prerës (thikë) punëtorin e dyqanit shtetasin E.I, 24 vjeç kanë marrë 23 telefona celular dhe një Laptop në dyqanin “Servis Celularësh” në pronësi të shtetasit G.D, 37 vjeç, banues në Kuçovë dhe pasi kanë dalë nga dyqani kanë thyer xhamin e parë të automjetit tip “Benz” në pronësi të shtetasit E.I.

Ky i fundit ka njoftuar shërbimet e policisë, të cilët falë reagimit të shpejtë bënë të mundur identifikimin e njërit prej autorëve dhe arrestimin e tij brenda një kohe të shkurtër.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
• 23 aparate celularë të markave të ndryshme.
• 1 lap top

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale, ‘”Vjedhje me Dhunë”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Shkatërrim prone”, “Kanosje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 139, 89, 150, 84 dhe 22 të Kodit Penal.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re