Këto janë pamjet e grabitjes në argjendarinë në Rrugën e Dibrës në kryeqytet, ngjarje e ndodhur më 14 mars.

Në video shihet momenti kur autori i dyshuar, 43-vjeçari Afrim Dulaj Farruku, ka prerë me sharrë pjesën e çatisë dhe nga aty, si “peshkatar”, tërheq varëset e floririt me grep.

Gjithashtu është zbuluar se ky shtetas ka kryer edhe grabitjen e një dyqani celularësh në Myslym Shyr nën kërcënimin e armës më 9 shkurt.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, dhe Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Golden hummer”.

Zbardhen dhe dokumentohen me prova ligjore, vjedhja në kërcënimin e armës, në një dyqan celularësh, e ndodhur në muajin shkurt, si dhe vjedhja në një argjendari në Rrugën e Dibrës.

Vihet në pranga një 43-vjeçar, si autor i dyshuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës intensive për zbardhjen e dy vjedhjeve të ndodhura në zonat respektive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Golden hummer”, për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të autorit të dyshuar.

Si rezultat i këtij operacioni u ndalua shtetasi A. D. (F)., 43 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas, më datë 09.02.2024, dyshohet se në kërcënimin e një arme zjarri pistoletë, ka vjedhur disa aparate celulare, në një dyqan në rrugën “Myslym Shyri”, dhe më datë 14.03.2024, ka vjedhur disa aksesorë floriri në argjendarinë e shtetasit E. K., në Rrugën e Dibrës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re