Bab e bir janë duke luftuar për jetën në spitalin e Vlorës, pas një konflikti me thika që kanë pasur mbrëmjen e djeshme pranë stanit të tyre, kur janë përballur me 3 hajdutë.

Edhe pse policia thotë se Fatjon Dautaj dhe Vilson Dautaj janë jashtë rrezikut për jetën, gazetarja e Fax News Afrovita Hysaj raporton se babai 60-vjeçar është në reanimacion për shkak të 3 plagëve që ka marrë me thikë.

Vilson Dautaj ka marrë një plagë në bark, dhe dy të tjera në trup, dhe për shkak të gjakderdhjes së madhe ndodhet në gjendje më të rënduar shëndetësore. Në afërsi të banesës dhe stanit të tyre janë gjetur dhe 180 bimë kanabis sativa, që dyshohet se ka qenë dhe objektivi i grabitësve.

Ka dyshime se dhe në mesin e personave që kishin shkuar për të grabitur ka persona të lënduar, por kjo nuk konfirmohet zyrtarisht nga policia sa kohë që asnjë prej tyre nuk ka shkuar për të marë ndihmë mjekësore në spital.

Policia ka marrë ndërkohë në pyetje Fatjon Dautajn, i cili ndodhet në gjendje stabël shëndetësore, dëshmia e të cilit pritet që të hedhë më shumë dritë në lidhje me ngjarjen, dhe të çojë në identifikimin e autorëve. Vetë bab e bir tashmë do të përballen me akuzën e kultivimit të bimëve narkotike, dhe pritet që tu komunikohet dhe masa e arrestit nga blutë e Vlorës.

Njoftimi i policisë:

Më datë 09.10.2021, rreth orës 04:55, në spitalin e Vlorës, kanë shkuar të dëmtuar, dyshohet me mjete prerëse, shtetasit F. D., 31 vjeç, dhe V. D., 60 vjeç, (babë e bir), të dy banues në fshatin Mavrovë, Selenicë, të cilët ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet e para hetimore, rezulton se janë konfliktuar me tre persona ende të paidentifikuar, të cilët dyshohet se kishin shkuar për të vjedhur, dhe në afërsi të stanit janë diktuar nga babai dhe djali, të cilët kanë hasur në rezistencën e tyre, ku si pasojë dhe janë dëmtuar.

Nga shërbimet policore gjatë kontrollit dhe krehjes së zonës, janë konstuar të kultivuara 180 bimë narkotike, të cilat janë asgjesuar me anë të djegies. Dyshohet se bimët narkotike janë kultivuar nga shtetasit F. D dhe V. D, të cilëve gjatë kontrollit të banesës ju janë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri (automatik dhe pushkë).

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, sigurimin e çdo prove që do ti shërbejnë zbardhjes së ngjarjes. Vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re