Grabitësit po përdorin maskat anti-covid për të vjedhur. Një grua e moshës 43 vjeç u sulmua nga dy të rinj që kishin në fytyrë maskën tipike kundër infeksionit teksa ajo ishte duke u kthyer për në banesë.

Ngjarja raportohet sipas burimeve shumë të sigurta të ketë ndodhur dy ditë më parë në rrugën “Ali Kelmendi”.

Sipas rrëfimit të gruas që u sulmua, ajo e pati të pamundur të identifikonte grabitësit që i ndërprenë rrugën dhe i këputën nga qafa varësen e floririt.

Çështja u ekzaminua nga policët e komisariatit numër 6, sipas kallëzimit të D. Z., një rrobaqepëse që u gjend e vetme përballë dy djemve që asaj iu dukën të kujdesshëm nga covidi, por në realitet maskën anticovid e kishin vendosur në fytyrë për të mos u identifikuar.

Gruaja u kthye nga puna në orën 21.00, në dorë mbante çelësat e shtëpisë, në dorën tjetër kishte qesen e ushqimeve dhe e vetmja gjë e shtrenjtë për të ishte një varesë floriri me vlerë 20 mijë lekë të reja. D. Z dëshmon se si u shty, se si ia këputën varësen dhe se si u rrëzua përtokë e gjakosur.

“Poshtë pallatit ishin dy djem të rinj, me maska covidi në fytyrë. Njëri prej tyre mbase ishte tek të 30-at. U vërsulën dhe direkt, njëri prej tyre më kapi nga dora dhe kërkoi të më tërheqë, tjetri më këputi varësen. U rrëzova dhe humba ndjenjat nga përdorimi i forcës”.

Gruaja e grabitur tregon se më pas është çuar dhe i është afruar lokalit më të afërt ku dhe ka kërkuar ndihmë. “Në pasqyrë pashë që isha e gjakosur dhe që po më rridhte gjak nga qafa. Pronari i lokalit njoftoi policinë”.

Siç bën me dije policia për gazetën Si, pasi është marrë dëshmia e 43-vjeçares, ajo është shoqëruar në spital për të marrë ndihmën e shpejtë. “Ngjarja ka ndodhur në vend të pandriçuar dhe aty nuk ka kamera sigurie, – deklaron policia që pavarësisht se ka tentuar të marrë dëshmi të banorëve, nuk ka gjetur asnjërin prej tyre që do të mund të identifikonte grabitësit e maskuar me maskë covidi”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re