Një grabitje me armë ka ndodhur gjatë mëngjesit të sotëm në Besjanë të Kosovës.

Mësohet se grabitja ka ndodhur pranë një qendre tregtare ku persona të armatosur kanë marrë xhiron e një biznesi duke qëlluar fillimisht me armë në ajër me qëllim trembjen e personelit që po transportonte paratë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci e konfirmoi grabitjen për mediat lokale.

Ai tregon se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë, ndërsa nënvizoi se kanë nisur hetimet për identifikimin e të dyshuarit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.

“Rreth orës 09:00 është pranuar informata për një grabitje të ndodhur në rrugën “Zahir Pajaziti” në Besjanë.

Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet që një i dyshuar nën kërcënimin e shkrepjes së armës i ka grabitur një vlerë të parave të gatshme një personi që atë moment ishte duke shkuar për të deponuar ato.

Policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes me ç’ rast ka gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë, përderisa kanë filluar hetimet për identifikimin e të dyshuarit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit”, tha Borovci.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko