Policia e Shtetit pritet të ketë në radhët e saj një Roki, jo Balboa në kuptimin fizik të fjalës, por në aspekt të pasionit për t’i shërbyer vendit në fushën e zbatimit të ligjit.

Është studenti shqiptar i policisë Roki Pepa ai që është graduar si student i shkëlqyer me gradën “Nënkomisar” nga vetë Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan në Akademinë Policore të Turqisë.

Shteti Turk nëpërmjet PAEM në marrëveshje me shtetin shqiptar, u jep mundësinë çdo vit disa prej studentëve më të mirë të vazhdojnë studimet në një nga akademitë më të mirënjohura të policisë kudo nëpër botë, duke u dhënë kështu mundësinë të kthehen në rradhët e Policisë së Shtetit me një eksperiencë akademike dhe profesionale të nivelit të lartë.

Dhe një ndër ata është dhe Roki Pepa, i diplomuar fillimisht per planifikim dhe menaxhim urban, por që la profesionin e urbanistit për t’ju bashkuar Akademisë së Sigurisë së Republikës së Shqipërise dhe për të ndjekur pasionin e policisë.

Në vitin 2019 përzgjidhet me konkurs bashkë me 4 studentë të tjerë shqiptarë për të ndjekur një nga akademitë më të mirënjohura të Policisë në botë, Akademinë e Policisë së shtetit turk.

Pas finalizimit me një nderim kaq të lartë, tashmë pritet të kthehet në Shqipëri për t’u përfshirë në rradhët e profesionistëve të Policisë së Shtetit. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re