Në kuadër të planit operacional policor të koduar “Koordinata”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh finalizuan operacionin “Survejimi”, pas një hetimi njëmujor me metoda proaktive kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi M.H., 63 vjeç, i cili u kap duke kujdesur 35 bimët narkotike të kultivuara në pyllin e fshatit Grazhdan. Në banesën e tij u gjetën pa leje 2 armë gjahu, 2 radio si të Policisë dhe 60 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Në kërkim shpallet djali i tij, A.H., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari kriminale. Policia vijon punën për kapjen e tij.
Bimët narkotike u asgjësuan, ndërsa armët, radiot dhe municioni u sekuestruan. Materialet u referuan në Prokurorinë e Elbasanit për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Policia vijon luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe aktiviteteve kriminale në zonë.