Familjet e mbetura shqiptare në kampin sirian do të kthehen së shpejti në Shqipëri. Lajmin e ka konfirmuar një gazetar i NBC, i cili ka përcjellë dhe një foto të 5 grave e tre fëmijëve nga kampi Roj, teksa shkruan:

“Departamenti i Jashtëm në Administratën Autonome njoftoi se ata do i dorëzojnë disa familje të ISIS qeverisë shqiptare. Fotografia e disa grave dhe fëmijëve shqiptarë në kampin Roj”, shkruan gazetari

Ndërkohë në median shqiptare raportohet se në atdhe do të kthehen si pjesë e një operacioni të tretë, 15 fëmijë e 5 gra, të cilët kanë qëndruar nëpër kampet e Sirisë (Roj e Al Hol). Fëmijët dhe gratë do të udhëtojnë drejt Damaskut, e më tutje do t’i drejtohen Shqipërisë.

Autoritetet shqiptare ende nuk kanë bërë një deklaratë publike mbi rastin, për të shpjeguar sesa gra e fëmijë po tërhiqen dhe nga cilat kampe.

Kujtojmë se operacioni i fundit për tërheqjen e grave e fëmijëve shqiptarë të mbetur në Siri, u bë më tetor të vitit të kaluar. Operacioni ishte pasues i një ndërhyrje të parë, nga e cila u shpëtua i mituri Alvin Berisha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re