Në kuadrin e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe takimeve elektorale  intensive, që Bindja Demokratike po zhvillon për t’i njohur zgjedhësit me planin e saj “për një Shqipëri normale”, një grup grash kandidate së bashku me kolegët e tyre, zhvilluan një takim me vajza dhe zonja mbështetëse nga Tirana.

Në hapje të takimit, Mirela Oktrova, gazetare dhe kryesuese e listës së grave kandidate të Bindjes Demokratike për Tiranën, shpjegoi se subjekti, për të cilin kandidon, e konsideron gruan si pjesë të rëndësishme integrale të shoqërisë, përfshirë politikën dhe vendimmarrjen dhe jo thjesht si objekt të politikave për barazinë gjinore. „Ne kemi një qasje politike, që gruan dhe problematikat e lidhura me të, i sheh në kuadër të gjithë shoqërisë dhe problemeve që gjithë shoqëria ka; një qasje sociale që gruan e sheh si pjesë të të gjithë nismave sociale dhe subjekt të tyre si edhe një qasje personale të secilës prej nesh, e cila gruan e sheh si qendër të iniciativave të grupimit tonë dhe komunitenit, pra të mikrosistemit nga njëra anë dhe të makrosistemit, që është e gjithë shoqëria, nga ana tjetër“, tha Oktrova.

Denata Toçe, sociologe dhe kryesuese e listës së grave të Bindjes Demokratike në qarkun e Korçës, tha se Bindja Demokratike „gruan e sheh si një embrion shumë të rëndësishëm dhe një zë oponence në shoqëri dhe brenda familjes, sepse gruaja është ajo që ka një influencë të jashtëzakonshme aty ku dhemb më shumë, te fëmija“. Toçe u ndal edhe në rëndësinë, që modeli i përgjegjësisë, i transmetuar nga gratë e sukseshme, që vendosin t’i hyjnë politikës, ka si për shoqërinë ashtu edhe për politikën.

Për koordinatorin e Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, subjekti, që ai kryeson, si rolit shoqëror të gruas ashtu edhe peshës së saj në politikë dhe vendimmarrje i qaset jo thjesht dhe vetëm me diskriminim pozitiv, të reflektuar në numrin e grave që kandidojnë, por para së gjithash me respekt për personalitetin, arritjet dhe synimet e gjithsecilës prej tyre edhe në kuadër të garës elektorale, duke u ofruar lista 100% të hapura dhe përkatësisht barazi të plotë trajtimi brenda tyre. „Po do të dish se sa i zhvilluar është një vend, duhet të shohësh se si i trajton gratë! E njejta gjë vlen edhe për partitë. Po do të dish se çfarë partish janë, duhet të shohësh vendin që zënë gratë në këto parti. Ne jemi shumë të nderuar që gratë janë njësoj të barabarta me ne, jo thjesht në përfaqësim, por edhe në kontribute dhe shanse të barabarta”,- tha Patozi.

Lista e Bindjes Demokratike në përgjithësi dhe ajo e Tiranës në veçanti ka në përbërje të saj një numër të konsiderueshëm grash kandidate të realizuara në profesionet e tyre, të cilat kanë vendosur të investojnë në këto zgjedhje personalitet dhe integritet, duke iu përgjigjur me seriozitet nevojës së artikuluar të elektoratit për politikbërje të re dhe personalitete të reja në politikë. Në bashkëbisedim e sipër, ata evidentuan mënyrat e ndryshme të perceptimit, me të cilat janë përballur në këtë nismë të guximshme, si edhe motivet që i shtynë të bënin këtë hap.

Loreta Leskaj, kandidate për qarkun e Tiranës, e cila prej vitesh jeton dhe punon në Itali, shpjegoi se në këtë hap është motivuar nga situata në përkeqësim, që haste në Shqipëri, vit pas viti. “Kam qenë gjithmonë e djathtë, por e tërhequr. Nuk angazhohesha asnjëherë, u shpreh Loreta. – Por ja që erdhi dita, që unë duhej ta bëja këtë. Ishte një zë i brendshëm, që më nxiti”.

Manjola Naço, pedagoge dhe kandidate, iu referua skepticizmit, me të cilin përballet dikush, që vendos të hyjë në politikë, megjithëse ka një karrierë të sukseshme, nisur nga motivet zotëruese për t’i hyrë politikës dhe vështirësive, që mbart modeli ndryshe: “të gjithë pyesin “po ti çne” dhe nuk u shkon mendja të thonë faleminderit që tenton dhe mendon të sjellësh një zë tjetër, – tha ajo. Po për Naçon, “pavarësisht, vështirësive, e rëndësishme është të hedhësh hapin e parë” pasi bisedat konkrete me zgjedhësit ia dalin të zbulojnë motivet e kandidimit, evidentojnë personalitetet dhe kontributet, duke arritur të ngjallin besim te një elektorat i zhgënjyer shpesh.

Alba Dervishi, sipërmarrëse dhe kandidate, tha se është ndier tejet e motivuar dhe e mbështetur prej miqve dhe bashkëpunëtorëve në nismën e saj. “Më kanë thënë shpesh që Shqipëria ka nevojë për ju, ka nevojë për figura të reja, se jemi lodhur majtas-djathtas”, tha Dervishi, duke ndarë me pjesëmarrëset energjinë mbështetëse, që ka marrë në takimet e saj në terren.

Të gjitha pjesëmarrëset e ftuara në këtë takim u interesuan hollësisht për ofertën politike të Bindjes Demokratike, profilet e kandidatëve të saj dhe objektivat e kësaj force për të ardhmen. Ato nuk munguan të theksojnë mungesën e besimit tek ofertat e deritanishme politike dhe formuluan shpresën e tyre, se qasja dhe personalitetet e Bindjes Demokratike do të arrijnë ta bëjnë për vete elektoratin sikurse dhe ato në takimin e zhvilluar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re