Danimarka u shtua pak ditë më parë në listën e vendeve ku gratë duhet të kryejnë shërbimin ushtarak.

Nga 1 korriku, të gjitha gratë që kanë mbushur 18 vjeç do të marrin një njoftim përkatës dhe rekrutimi i tyre do të fillojë nga janari i vitit 2026.

Sipas raportimeve nga forcat e armatosura daneze, aktualisht 25% e të gjithë rekruteve që kanë dalë vullnetare janë gra.

Afati normal i shërbimit zgjat nga katër deri në dymbëdhjetë muaj, në varësi të trupit që ka zgjedhur çdo ushtar pas stërvitjes bazë tre mujore.

Ku është i detyrueshëm shërbimi ushtarak për gratë?

Në dy vendet e tjera skandinave, Norvegji dhe Suedi, gratë duhet të kryejnë gjithashtu shërbimin ushtarak, përkatësisht që nga viti 2015 dhe 2018.

Në Holandë, rekrutimi i grave është gjithashtu i detyrueshëm, por që nga viti 1997 qytetarët kanë mundësinë të pezullojnë shërbimin e tyre ushtarak.

Në Izrael, shërbimi ushtarak ka qenë i detyrueshëm për gratë që nga viti 1949. Gratë duhet të shërbejnë dy vjet, burrat tre. Nga fundi i qershorit do të kërkohet të kryejnë shërbimin ushtarak edhe hebrenjtë ultraortodoksë, të cilët deri vonë ishin të përjashtuar.

Shumica e vendeve me shërbimin e detyrueshëm ushtarak për gratë janë në Afrikë. Në Eritrea, Çad, Guinea-Bissau, Mali, Mozambik, Kepi Verde dhe Nigeri, gratë duhet t’i bashkohen ushtrisë. E njëjta gjë vlen edhe për Bregun e Fildishtë, ku, megjithatë, detyrimi nuk zbatohet.

Sa i përket Azisë, një parashikim i ngjashëm ekziston në Mianmar, Kinë, Timorin Lindor dhe Korenë e Veriut.

Shërbimi vullnetar

Në shumicën e vendeve të botës, megjithatë, shërbimi ushtarak është vullnetar për gratë – si në SHBA, ku ka rreth 200,000 femra ushtarake, të cilat përbëjnë 14% të forcave të armatosura.

E njëjta gjë ndodh në shumë vende evropiane, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Belgjikën, Gjermaninë, Francën dhe Turqinë. Shërbimi është vullnetar edhe në vende të tjera në Amerikën Latine dhe Azi, si Bolivia, Japonia dhe Koreja e Jugut.

Ukraina dhe Rusia nuk parashikojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak për gratë – edhe pse për shkak të luftës, aktualisht ka shumë gra që shërbejnë në forcat e armatosura të të dy shteteve.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, aktualisht ka 68,000 gra në ushtri – 40% më shumë se në vitin 2021.

Rusia madje ka një njësi pilot pilotesh vetëm me femra të quajtur “Shtrigat e natës” – një emër që i referohet njësisë femërore të aviatorëve të Ushtrisë Sovjetike me të njëjtin emër gjatë Luftës së Dytë Botërore. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko