Këshilltari special i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, tha se marrëveshja e Uashingtonit dhe marrëveshjet e arritura në Beograd sot nuk janë vetëm fjalë në letër, por nënkuptojnë vende pune të reja për njerëzit që jetojnë në rajon, vende pune të reja dhe zhvillimin e sektorit privat.

“Ne nuk do të ishim këtu nëse nuk do të ishte Presidenti Trump, i cili besonte se diçka tjetër mund të ndodhte. Ai besonte se ekonomia mund të vihej në plan të parë, si dhe theksimi i vendeve të punës. Këto nuk janë thjesht fjalë në letër, por punë për njerëzit që jetojnë këtu,” tha Grenell, duke theksuar se ky është një mesazh për qytetarët serbë.

Siç tha ai, presidenti dhe Shtetet e Bashkuara besojnë në forcën e sektorit privat, se mënyra e të menduarit “nga jashtë” kontribuon që qeveria të kuptojë se si sektori privat mund të “lulëzojë”.

“Simbolika në bisedimet politike nuk do të jetë kurrë në gjendje t’u paguajë njerëzve qira, sektori privat e bën atë,” tha Grenel.

Ajo që është arritur në Uashington funksionon dhe është shumë mirë, theksoi Grenell.

“Simbolika është e rëndësishme, por ka të bëjë me krijimin e vendeve të punës. Lëreni njerëzit e Serbisë të na mbajnë përgjegjës se fjalët në letër nuk janë të mjaftueshme derisa të ketë një krijim masiv të vendeve të punës, zhvillim ekonomik dhe derisa familjet të fillojnë të qëndrojnë në këtë rajon,” tha Grenell.

Kështu, diplomati amerikan që po merret posaçërisht me afrimin e palëve në Prishtinë e Beograd, po shpalos e përcjell vizionin “Trump” mbi rregullimin e çështjeve të ndërlikuara të natyrës politike apo etnike, e që është ekonomia, thënë ndryshe, paraja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re