Skip to content

Greqi/ Hyn në fuqi iniciativa për uljen e çmimeve, 1600 produkte me ulje

640 0 capturepng 1788162462

Një nismë e re për uljen e çmimeve hyn në fuqi sot në Greqi, duke përfshirë më shumë se 1,600 produkte të konsumit të përditshëm.

“Iniciativa Kombëtare për Uljen e Çmimeve” nis zbatimin me mbi 1,660 kode produktesh dhe me një ulje mesatare të çmimeve prej rreth 7%. Sipas autoriteteve greke, synimi është të lehtësohet barra financiare për familjet dhe të kufizohet kostoja e produkteve bazë.

Deri tani, në program janë përfshirë mbi 90 kompani furnizuese, 12 rrjete supermarketesh dhe 3 rrjete që tregtojnë artikuj shkollorë dhe lodra.

Zbritjet nisin nga 5% dhe në disa raste arrijnë deri në 30%.

Pjesa më e madhe e produkteve të përfshira janë artikuj të markave të ndryshme, me rreth 900 kode, ndërsa më shumë se 450 produkte shkollore do të ofrohen me ulje mesatare prej rreth 10%.

Në program janë përfshirë edhe rreth 250 produkte me etiketë private, me një ulje mesatare prej 7%, si dhe rreth 60 produkte mishi, përfshirë mishin e viçit, me ulje mesatare prej 7.2%.

Konsumatorët do t’i identifikojnë produktet pjesëmarrëse përmes shenjave të posaçme në raftet e supermarketeve. Informacioni për produktet dhe nivelin e zbritjeve do të jetë i disponueshëm edhe përmes platformës digjitale “PosoKanei”.

Autoritetet greke presin që masa të ndikojë edhe në ecurinë e inflacionit të ushqimeve. Sipas të dhënave të fundit të cituara nga Eurostat, çmimet e ushqimeve në Greqi shënuan rënie mujore gjatë korrikut.

Ministri i Zhvillimit, Takis Theodorikakos, ka deklaruar se qeveria do të vijojë monitorimin e tregut dhe kontrollet ndaj çmimeve.

“Ne nuk jemi triumfues dhe nuk po pushojmë”, është shprehur ai.