Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në rezidencën qeveritare greke Maksimu, iu dha shtetësia greke Ledian Gogës, shqiptarit i cili rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar dy fëmijë nga lumi Arahthos, në qershor të vitit 2025.
Ledian Goga dha betimin si qytetar grek përpara Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, në prani të ministrit të Brendshëm Theodoros Livanios dhe sekretarit të Përgjithshëm për Çështjet e Shtetësisë, Dimitris Karnavos.
Ky akt nderimi erdhi pasi Lediani ndërhyri pa hezitim për të shpëtuar dy fëmijë që po rrezikoheshin të mbyteshin nga rrjedha e lumit, duke rrezikuar edhe veten për dy të miturit.
“Faleminderit për atë që bëre. E meriton këtë nder dhe më shumë,” u shpreh Kryeministri Mitsotakis menjëherë pas betimit.
Ledian Goga ishte gjithashtu i ftuar nderi në pritjen për përvjetorin e rivendosjes së demokracisë në Greqi, organizuar në korrik nga kryetari i Parlamentit, Kostas Tasoulas.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi në qershor të këtij viti. Ledian Goga u hodh në lumin Arahthos për të shpëtuar dy fëmijë të mitur nga mbytja, por fatkeqësisht të dy ata e humbën jetën në spital, për shkak se pësuan vdekje klinike.
