27 organizata joqeveritare të njohura në Greqi kanë paralajmëruar se refugjatët dhe azilkërkuesit po përballen me urinë pas vendimit të qeverisë në muajin tetor për të ndërprerë shërbimet për ata të cilëve iu është pranuar kërkesa për azil.

Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit njoftoi se rreth 34 mijë azilkërkues kanë kaluar pothuajse dy muaj pa ndihmë në para, që më parë i lejonte ata të blejnë ushqime, veshje dhe sende thelbësore.

Kjo organizatë joqeveritare humanitare e njohur në mbarë botën theksoi se problemet filluan më 1 tetor kur qeveria mori përsipër programin e ndihmës në para të financuar nga Bashkimi Evropian (BE), i cili më parë menaxhohej nga agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR).

Qeveria dha garanci publike se shpërndarjet do të rifillojnë deri në fund të tetorit, por një muaj më vonë, sipas Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit, problemi që ushtron një efekt shkatërrues mbi azilkërkuesit mbetet i pazgjidhur.

Ndalimi i asistencës në para, nga e cila varen shumë njerëz, po zhvesh dinjitetin e azilkërkuesve dhe po i privon ata nga “litari shpëtimit”.

“Refugjatët dhe azilkërkuesit, të cilët tashmë ishin të margjinalizuar ekonomikisht, po i drejtohen lypjes së lëmoshës dhe mekanizmave të tjera negative për të mbijetuar”, tha komiteti.

Emily Wilson, një punonjëse e ndihmës humanitare me Projektin Elea, theksoi situatën e rëndë të grave dhe fëmijëve refugjatëve.

“Gratë në kampin ‘Eleonas’ vazhdojnë të na thonë se fëmijët e tyre po qajnë natën nga uria. Nënat tani nuk kanë para për qumështin e foshnjës, kështu që në vend të kësaj i hedhin biskotat në ujë”, tha ajo.

Martha Roussou e Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit tha se vendimi i qeverisë i shtyu refugjatët tashmë të cenueshëm dhe të margjinalizuar në skaj.

Duke akuzuar qeverinë greke për krijimin e një krize urie mes refugjatëve dhe azilkërkuesve, Anita Bay, drejtoreshë e ‘Save the Children Europe’, tha se, “Është e paligjshme, e panevojshme dhe krejtësisht e papranueshme që kjo të ndodhë në BE”.

Prandaj, organizatat joqeveritare, përfshirë organizatat greke, evropiane dhe globale, kërkuan nga qeveria greke të trajtojë problemin duke rifilluar shpërndarjen e parave, ushqimit të mjaftueshëm për ata që banojnë në kampet e refugjatëve dhe ndihmës urgjente në formën e mallrave dhe kuponave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re