Në mars nis ndërtimi i kampeve të mbyllura për migrantët në disa ishuj grekë në Egje, ku qëlllimim është kontrolli i lëvizjes së azilkërkuesve, njoftoi ministri i Migracionit, Notis Mitarachi.

Kampet, të cilat do të strehojnë 20,000 azilkërkues për një maksimum për tre muaj, do të vendosen në ishujt e Lesbos, Samos, Kios, Kos dhe Leros.

Ato duhet të funksionojnë që këtë verë.

Deri më tani, azilkërkuesit mund të hynin dhe të dilnin nga kampi dhe të lëviznin lirshëm në ishuj.

Pas incidenteve të dhunshme midis migrantëve, qeveria konservatore e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka vendosur të kontrollojë më tej të ardhurit në ishujt e Egjeut.

Ata që do të strehohen në këto qendra të mbyllura do të kenë të drejtën e daljeve të kontrolluara për një kohë të kufizuar, tha zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Petsas.

Përballë një rritje të fluksit të ardhjes së migrantëve, qeveria “Mitsotakis”, e cila mori detyrën verën e kaluar, ka vendosur që të shpejtojë’ procedurat e azilit për të kthyer në vendet e tyre ose Turqinë fqinje ata që nuk kanë të drejtë të azilohen.

“Ne duam të rrisim numrin e kthimeve në Turqi dhe të arrijmë 200 kthime në javë,” tha ministri Mitarachi.

Një përfaqësues i UNHCR në Greqi tha se ndërtimi i qendrave të reja do të marrë kohë, por gjëja më e rëndësishme ishte të gjesh një zgjidhje të shpejtë për mbipopullimin e papranueshëm të ishullit.

Në muajt e fundit, ka pasur një numër protestash nga banorët dhe autoritetet lokale që kundërshtojnë ndërtimin e këtyre kampeve.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re