Me qëllim për t’i përdorur kundër emigrantëve dhe azilkërkuesve Greqia ka instaluar në zonën kufitare dy pajisje elektronike që mund të lëshojnë valë të fuqishme zanore dhe të shurdhojnë njerëzit.

Sipas lajmeve që kanë qarkulluar në shtypin grek, administrata e Athinës ka instaluar në zonën kufitare të lumit Meriç (Marica/Evros) dy pajisje të reja portative të afta të lëshojnë valë të fuqishme zanore për t’u përdorur kundër fluksit të mundshëm masiv të emigrantëve.

Dy sisteme me stimulim akustik me rreze të gjatë veprimi (LRAD), të cilat prodhojnë bomba zanore dhe kanë fuqinë për t’i bërë njerëzit të shurdhër, iu dorëzuan Policisë Greke (ELAS) me shërbim në kufirin turko-grek.

Sistemet LRAD në botë përdoren në fushat civile dhe ushtarake dhe kur përdoren kundër njerëzve ato mund të shkaktojnë çorientim, humbje të dëgjimit, dhimbje të padurueshme dhe mund të shkaktojnë probleme të panjohura shëndetësore.

Raportohet se në kuadër të vendimeve për të përforcuar njësitë kufitare në sistemin e kontrollit të kufirit janë përfshirë edhe 4 mjete ajrore pa pilot (dronë), 15 kamera termale, 5 gomone dhe 10 automjete të blinduara për patrullim.

Nga ana tjetër, raportohet se në zonën Ferexhik, në kufirin turko-grek, ka nisur ndërtimi i gardhit me tela, si pjesë e gardhit të ri me tela të njoftuar më parë për t’u ngritur në rajonin e lumit Meriç (Marica/Evros) kundër emigracionit të paligjshëm.

Në deklaratat e bëra nga autoritetet greke është thënë se gardhi në fjalë është planifikuar të zgjatet 27 km drejt veriut dhe të jetë 4,3 metra i lartë si dhe të ketë 8 kulla vrojtimi.