Greqia vijon kërcënimet ndaj Shqipërisë për hapjen e negociatave për vendin tonë.

 

Duke marrë shkas nga votimi në Parlament i ligjit për pronat, Ministria e Jashtme greke kërkon nga Shqipëria që të zbatojë të drejtat e pronës për minoritetin grek nëse do që të marrë votë pro hapjes së negociatave. Fqinjët grekë nuk u shprehën fort të kënaqur me ligjin e miratuar.

 

“Votimi nga ana e Parlamentit Shqiptar, të ligjit mbi çështjen e pronave, përbën një shans të humbur për zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të një problemi që mundon qytetarët Shqiptarë, përfshirë këtu edhe anëtarët e Minoritetit Etnik Grek. Autoritetet Shqiptare zgjodhën për t’i dhënë “zgjidhje” pa marrë parasysh vlera dhe të drejta themelore. Zbatuan në mënyrë të pjesshme Opinionin e Komisionit të Venecias të dt. 14 tetor 2019, i cili theksonte se “dispozitat e projekt Ligjit janë të paqarta dhe të papajtueshme me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, zbatimi i mundshëm i tyre do të përbënte shkelje të së drejtës së pronësisë”.”

 

Sipas Ministrisë së Jashtme greke, kjo çështje do të jetë vendimtare për negociatat e Shqipërisë.

 

“Presim nga Autoritetet Shqiptare të mbrojnë në mënyrë efektive të drejtën e pronësisë dhe të pronës, një çështje kjo, që përfshihet në bërthamën e ligjeve kryesore të së Drejtës Europiane. Sanksionimi i kësaj të drejte do të përbejë gurin e provës, në kontekstin e marrjes së vendimeve për hartimin e kuadrit negociues dhe thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërinë.”

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re