Pas rritjes alarmante të rasteve të reja me koronavirus, Greqia ka vendosur të marrë masa të reja shtrënguese.

Hyrjet nga Kakavija do të jenë të limituara. Duke nisur nga data 16 gusht, në këtë pikë kufitare do të lejohen të futen vetëm 750 persona në ditë.

Përveç kësaj, kushdo që përdor kufijtë tokësorë për të hyrë në Greqi do të detyrohet të paraqesë më parë një test që tregon se nuk është i infektuar me koronavirus.

Testi duhet të jetë kryer 72 orë para se të futen në shtetin grek dhe duhet të jetë kryer në vendin e origjinës e jo në Greqi. Kjo masë do të hyjë në fuqi në datën 17 gusht.

Po në këtë datë, do të jenë të detyruar për të bërë testin edhe ata që fluturojnë nga Suedia, Republika Çeke, Belgjika, Spanja dhe Holanda. Gjithashtu, çdo ngjarje publike ku grumbullohen njerëz janë të pezulluara në të gjithë vendin, përfshirë koncerte dhe shfaqje.

Masat e reja u lajmëruan nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Këtë të hënë, shteti fqinj zbuloi 126 raste të reja me koronavirus, ndërsa një ditë më parë 203.  

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re