Sekretari i OMONIA-s Marin Suli është shprehur se Greqia po ndez një zile alarmi për të treguar që në Shqipëri ka probleme të rënda me drejtësinë lidhur me rastin “Beleri”.

Nga ana tjetër analisti Dritan Hila u shpreh se Greqia gjithmonë ka qenë e fundit që ka dhënë miratimin për Shqipërinë, ashtu si me anëtarësimin e kësaj të fundit në NATO.

Ai shtoi se qëndrimi i Greqisë tregon “politikën provinciale” të qeverise helene, duke theksuar se çështja Beleri është e nacionalizmit grek.

Suli replikoi më pas duke thënë se Hila “është thartuar” nga fitorja e Belerit në Himarë në zgjedhjet e 14 majit, ndërsa ky i fundit u shpreh se megjithatë Beleri akuzohet për blerje votash dhe fitorja nuk është e sigurt.

“Sot bashkinë e drejton ai që ka humbur zgjedhjet, ka 7 muaj”, tha Suli në News24.

Pjesë nga biseda:

Suli: Sot Beleri është i pafajshëm deri sa të ketë një vendim të formës së prerë. Drejtësia duhet të bëjë punën, por Beleri duhet të betohet. Sot bashkinë e drejton ai që ka humbur zgjedhjet, ka 7 muaj. Drejtësia e re e lë në shtëpi kryebashkiakun e Rrogozhinës ndërsa Belerin e lë në burg.

Nuk besoj se ka vend në Europë që diskuton të drejtat e njeriut. Greqia po ndez një zile alarmi për të treguar që në Shqipëri ka probleme të rënda me drejtësinë dhe liritë e njeriut. Unë mendoj se kjo është gjë e mirë.

Hila: Greqia është vendi që nuk ka nënshkruar konventën për minoritetet. Ka qenë gjithmonë e fundit që ka dhënë miratimin për integrimin e Shqipërisë në NATO. E ka dhënë e fundit miratimin për në NATO. Gjithmonë na kanë privuar në përparimin e axhendës sonë.

Këtu duket politika provinciale e Greqisë, sepse do të instalojë një kryetar bashkie që ka mbështetjen e tyre dhe njihet si njeri i grekëve. Pavarësisht se çfarë thuhet, çështja Beleri është e nacionalizmit grek. Greqia nuk ka qenë sponsor i yni, Greqia na ka penguar vazhdimisht.

Suli: Zoti Hila është thartuar për fitoren, po s’kemi çfarë të bëjmë. Demokracia e ka këtë gjë.

Hila: Mirë por ai akuzohet për blerje votash dhe nuk e dimë.

Suli: Zotëria sot është i pafajshëm. Është shumë i rëndësishëm sundimi i shtetit ligjor dhe liria dhe të drejtat e njeriut. Belerit po i bëhet gjyq publik dhe tani thoni se i bëhet mirë që rri në burg.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re