Mijëra njerëz të zemëruar protestuan në Athinë të premten, ku shpërthyen përleshjet, dhe në qytete të tjera anembanë vendit, pasi të paktën 57 njerëz u vranë në një aksident të madh hekurudhor, më i keqi në historinë e vendit, në ditën e tretë të zisë kombëtare.

3000 persona u mblodhën në protestën e re në qendër të Athinës. Oficerët e policisë përdorën gaz lotsjellës dhe granata trullosëse kundër një grupi protestuesish të cilët hodhën gurë ndaj tyre dhe u vunë flakën koshave të plehrave.

Policia përdori gaz lotsjellës edhe në Selanik, ku përafërsisht po aq persona ishin mbledhur. Shumica e universiteteve ishin ende të mbyllura të premten. Objektivi kryesor i zemërimit është kompania hekurudhore Hellenic Train.

Në dritaren e selisë së kompanisë në Athinë, para së cilës ishin mbledhur më shumë se 5000 njerëz, ishte shkruar me germa të kuqe fjala “Vrasësit”.

Viktima e parë, një nënë 34-vjeçare, u varros të premten në qytetin verior të Katerinit. Rreth 700 persona protestuan në Larisa, qyteti më i afërt me vendin e përplasjes, dhe 500 në Patras, sipas policisë.

Qeveria ia atribuoi aksidentin gabimit njerëzor, por sindikatat pretendojnë se ai ishte i pashmangshëm për shkak të mirëmbajtjes së dobët të shinave dhe sinjalizimit të gabuar. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re