Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias, ka bërë të ditur se vendi i tij planifikon të zgjerojë ujërat territoriale në pjesën lindore të ishullit të Kretës.

Duke folur në një seancë parlamentare ku diskutohej projekt-legjislacioni për zgjerimin e ujërave territoriale të vendit në Detin Jon, ministri Dendias tha se po ashtu edhe kryeministri Kyriakos Mitsotakis muaj më parë foli për zgjerimin e ujërave territoriale të Greqisë në Kretë.

“Dhe, sigurisht, Kreta përfshin pjesën lindore. Ne jemi duke planifikuar të zgjerojmë ujërat tona territoriale në lindje të Kretës”, tha Dendias para ligjvënësve.

Ligjvënësi i partisë më të madhe opozitare Syriza, George Katrougalos, në diskutimin e projekt-legjislacionit pyeti kryediplomatin grek se cilat çështje do të diskutohen midis Turqisë dhe Greqisë në bisedimet e 61-ta mbi eksplorimin që fillojnë më 25 janar në Stamboll, si dhe kritikoi qeverinë për shprehjen e mendimeve të ndryshme mbi ujërat territoriale.

“Nuk mundet të ndiqni një vijë tjetër përveç politikës së përcaktuar nga kryeministri. Asnjë kryeministër grek nuk do të negociojë çështjen e ujërave territoriale, sepse është një çështje sovraniteti dhe jo çështje negociatash”, u përgjigj Dendias.

Ai po ashtu pohoi se Greqia nuk ka pse të negociojë ujërat e saj territoriale me ndonjë vend fqinj.

“Vendet fqinje e kuptojnë zbatimin tonë të së drejtës sonë. Italia e dinte se Greqia do të zgjerojë ujërat e saj territoriale dhe kjo nuk do të thotë se Greqia negocioi me Italinë. Ashtu siç Shqipëria ka ushtruar plotësisht të drejtat e saj pa pyetur Greqinë”, tha Dendias.

Në muajin gusht, kryeministri Mitsotakis tha se qeveria po planifikon të paraqesë një projekt-ligj për të dyfishuar madhësinë e ujërave territoriale të Greqisë në Detin Jon. Ai shtoi se në të ardhmen Greqia po ashtu mund të zgjerojë ujërat e saj territoriale në zona të tjera detare.

Në mes të viteve të 90’ta, Greqia në mënyrë të ngjashme u përpoq të zgjerojë në 12 milje ujërat e saj territoriale në Detin Egje, por dështoi pasi Turqia deklaroi se një lëvizje e tillë do të ishte një shkak për luftë.

Turqia dhe Greqia do të fillojnë bisedimet dypalëshe mbi eksplorimet më 25 janar në Stamboll për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre.

Turqia, e cila ka vijën bregdetare më të gjatë kontinentale në Mesdheun Lindor, ka mohuar pretendimet kufitare detare nga Greqia dhe Qiproja Greke, duke theksuar se ato pretendime të tepërta shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe Qipros Turke.

Vitin e kaluar, Ankaraja dërgoi disa anije të shpimit për kërkime të energjisë në Mesdheun Lindor, duke pohuar të drejtat e saj në rajon, si dhe ato të Qipros Turke.

Liderët turq në vazhdimësi kanë theksuar se Ankaraja favorizon zgjidhjen e problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re