Autoritetet greke në Kakavijë kanë njoftuar se janë vendosur masa të reja për udhëtarët nga Shqipëria, në kuadër të parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Mësohet se kufiri tokësor me Kakavijën do të mbyllet gjatë natës, me qëllim që të ketë kontrolle të shtuara gjatë ditës.

Duke filluar nga dita e diel e 16 gushtit, të gjithë ata që do të udhëtojnë nga Shqipëria drejt Greqisë, përmes pikës së Kakavijës, do të vendosen në karantinë të detyruar 7-ditore.

Këto masa të rrepta sigurie janë ndërmarrë pasi një ditë më parë një qytetar shqiptar me shtetësi greke hyri në Greqi përmes Kakavijës dhe rezultoi se ishte i prekur me COVID-19. Ai është shtruar në Spitalin Universitar të Janinës.

Gjithashtu, nga dita e hënë në palën greke do të vendoset ekip kontrolli epidemiologjik i vazhdueshëm për kontroll të plotë të udhëtarëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re