Greqia ka vendosur që të shtyjë automatikisht lejet e qëndrimit për emigrantët deri në 31 dhjetor 2020. Ky vendim u mor nga ministria e Emigracionit. Paralelisht, një vendim i posaçëm ministror i datës 7 maj 2020, me afat skadimi datën akoma të panjohur të pezullimit të masave kufizuese, ndalon rreptësishtë shërbimin me prezencë fizike, në të gjitha njësitë kompetente për procesin e legalizimit të emigrantëve. Gjithashtu, në Aktin Normativ urgjent për paketën e masave ekonomike e sociale të qeverisë greke, u përfshi dhe dërgimi me postë i lejeve të qëndrimit që janë miratuar, por nuk mund të marrin emigrantët.

Konkretisht, kategoritë e përfshira në shtyrjen automatike të afatit të vlefshmërisë janë si në vijim:

1-Lejet e qëndrimit lëshuar me zbatimin e ligjit 4251/2014 dhe dekretin presidencial 106/2007 që skadonin nga 1 dhjetor 2019 deri në 11 mars 2020 dhe nuk u mundësua aplikimi për rinovim nga disponuesi, si dhe lejet e qëndrimit të të njëjtës kategori që skadojnë nga 12 mars 2020 deri në 30 qershor 2020, rinovohen automatikisht deri në 31 dhjetor 2020.

2-Vërtetimet e dorëzimit të kërkesës sipas neneve 8 dhe 9 të ligjit 4251/2014 dhe vërtetimet speciale të qëndrimit në Greqi të nenit 25 të ligjit 4251/2014 të cilat skadonin deri në 11 mars e që rinovimi i tyre ishte i mundur sipas kritereve të parashikuara, si dhe vërtetimet e këtyre kategorive që skadojnë nga 12 mars deri në 30 qershor 2020, lejohet të rinovohen deri në 31 dhjetor 2020.

3. Për periudhën kohore nga data e skadimit të titujve të lejeve të qëndrimit të paragrafëve të mësipërm 1 dhe 2 deri në datën e aplikimit për rinovim konsiderohen automatikisht të vlefshme, pa asnjë detyrim lëshimi të një akti apo dokumenti ekstra ligjor vërtetues. Vlefshmëria e lejeve të reja të qëndrimit që do të miratohen për kategoritë e parashikuara në dy paragrafët e mësipërme (1, 2) fillon një ditë pas skadimit të afatit të mëparshëm.

4.Shtetasit e vendeve të treta, të cilët detyrohen gjatë afatit 12 mars-15 maj 2020 të aplikojnë për leje fillestare qëndrimi ose dëshmi qëndrimi të ligjshëm varur nga Vizë hyrje në territorin grek, sipas dispozitave të ligjit 4251/2014 dhe dekretit presidencial 106/2007, lejohen të dorëzojnë kërkesën përkatëse jo më vonë se 20 shtator 2020.

NIS SOT MESIMI PER MATURANTET
Ndërkohë, ditën e sotme nis mësimi për maturën në Greqi. Nga kjo javë janë hapur dhe njësitë shitëse, përveç qendrave tregtare, si dhe zyrat e Administratës, ku gjithsesi shërbimi me prezencë fizike ose është akoma i pezulluar, ose funksionojnë vetëm me takime paraprake telefonike.

Shifrat e ulta të të infektuarve duket se justifikojnë plotësisht vendimet e qeverisë Mitsotakis, pavarësisht se nuk kanë munguar protestat kundërshtuese, përqendrimi i njerëzve nëpër sheshe kryesore lagjesh. Ndërsa këtë javë parashikohen dhe grevat e para, konkretisht nga sindikatat e mësuesve dhe akademikëve, që kundërshtojnë projektligjin e sapo paraqitur nga Ministria e Arsimit, me reforma të shumta në të gjitha nivelet arsimore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re