Greqia tërheq rezervën për vulën apostile ndaj Shqipërisë me efekt të menjëhershëm. Veprimi i fundit i palës greke ka një impakt pozitiv për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, pasi lehtëson procedurat e marrjes dhe përdorimit të dokumenteve të lëshuara nga institucionet shqiptare dhe greke.
Vetëm gjatë vitit 2017, kostot e përballuara nga qytetarët shqiptarë për shkak të aplikimit të vulës apostile nga autoritetet greke, kanë kapur vlerën e 6.7 milionë eurove. Ky vendim i qeverisë greke përbën një angazhim të përmbushur në kuadër të dialogut dypalësh Shqipëri-Greqi për çështjet e mbetura pezull prej një kohe të gjatë.
Përveç impaktit real në jetën e përditshme të qytetarëve, tërheqja e rezervës për vulën apostile, tashmë nga të gjithë vendet anëtare te be-së, krijon mundësi të tjera për ofrimin e shërbimeve konsullore moderne për qytetarët tanë që jetojnë në Greqi.
