Që nga vazhdimi i bisedimeve eksploruese midis Turqisë dhe Greqisë këtë vit, Greqia ka vazhduar të përshkallëzojë tensionin në rajon.

Sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë, Greqia “ka kryer shumë aktivitete nga stërvitjet në misionet me nëndetëse që synojnë përshkallëzimin e tensionit në Egje dhe vazhdoi qëndrimin e saj pa kompromis”.

Anija kërkimore turke “TCG Çeşme” filloi hulumtimin e saj shkencor dhe teknik në lidhje me hidrografinë në ujërat ndërkombëtare në veri të Egjeut.

Hulumtimi i anijes “TCG Çeşme” u përshkrua si “një lëvizje që nuk lehtëson përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve” në deklaratat e bëra nga Greqia.

Të pyetur në lidhje me reagimin e Turqisë ndaj deklaratave greke, burimet nga ministria, të cilët kërkuan të mbesin anonime për shkak të kufizimeve për t’u prononcuar për mediat, thanë se anija kërkimore “TCG Çeşme” do të kryejë kërkime shkencore dhe teknike në veri të Egjeut deri më 2 mars si pjesë e programit të saj vjetor të veprimtarisë.

Burimet theksuan se hulumtimet nuk përfshinë shtratin e detit dhe u kryen në përputhje të plotë me Marrëveshjen e Bernës të vitit 1976.

Sipas burimeve të ministrisë, në periudhën midis nëntorit dhe dhjetorit të vitit 2020, anija kërkimore “HS Naftilos “e Marinës Greke kreu kërkime të ngjashme në zonat në veri dhe perëndim të ishullit Lesbos dhe në veri të ishujve Chios dhe Ahikerya (Icaria), të cilat gjithashtu përfshijnë ujëra ndërkombëtare.

Burimet gjithashtu theksuan se anija kërkimore greke AEGAEO kreu kërkime nënujore në zona të cilat gjithashtu përfshijnë ujërat ndërkombëtare midis ishullit të Kretës dhe gadishullit të Peloponezit pas fillimit të bisedimeve eksploruese midis Ankarasë dhe Athinës më 25 janar.

“Aktualisht, Greqia vazhdon aktivitetet e saj nënujore, të cilat i filloi në zonat në veri të Kretës me një paralajmërim detar NAVTEX në 18 shkurt 2021, dhe nuk është e qartë kur do të përfundojnë”, shtuan burimet.

Ministria nënvizoi se aktivitetet e anijes turke “TCG Çeşme” janë “kërkime shkencore dhe teknike të kryera në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar dhe marrëveshjet e ndërsjella”.

“Deklaratat e Greqisë se ne kemi kryer veprime që përshkallëzojnë tensionin nuk pasqyrojnë të vërtetën”, thanë burimet, duke shtuar:

“Gjatë një periudhe kur bisedimet eksploruese janë duke vazhduar midis vendeve tona, këto deklarata të bëra nga Greqia, në mënyrë të qartë me qëllim të mashtrimit publik të bashkësisë ndërkombëtare, ndiqen me keqardhje dhe habi”.

Burimet gjithashtu vlerësojnë se “këto deklarata janë një tregues i qartë i qasjes greke pro-tensionit dhe qëndrimi i mospranimit të kompromisit, që nuk dëshiron të zgjidhë problemet përmes negociatave dhe dialogut”.

“Greqia është palë që përpiqet të përshkallëzojë tensionin”

Burimet e ministrisë thanë gjithashtu se Greqia ka kryer një stërvitje me 20 anije dhe shumë elementë ajrorë në këtë zonë që përfshin gjithashtu ujërat ndërkombëtare në veriperëndim të ishullit Skyros, që nga 25 janari, kur filluan konsultimet.

Burimet rikujtuan gjithashtu se në njoftimet e saj për nëndetëse për aktivitetet midis 10-17 shkurtit, Greqia shpalli ishujt Bozbaba (Agios Efstratios), Samothrace, Limnos, Thasos, Lesbos, Chios, Psara, Ahikeria dhe ishujt Samos, i cili mban status jo-ushtarak, brenda ujërave të saj territoriale.

Sipas ministrisë, Greqia është pala që përpiqet të përshkallëzon tensionin siç u zbulua kur Greqia lëshoi një njoftim për nëndetëse se do të mbajë një trajnim me të shtëna në Detin Egje dhe Mesdhe midis datave 17 mars dhe 27 prill të vitit 2021, si dhe shpalli ishujt të Lemnos, Bozbaba, Lesbos, Meis, Psara, Chios dhe Samothrace, të cilat mbajnë një status jo-ushtarak, brenda ujërave të saj territoriale.

Pavarësisht nga “veprimet provokuese” të Greqisë gjatë bisedimeve eksploruese, burimet thonë se Turqia vazhdon të mbajë qëndrimin e saj të qetë për të zgjidhur problemet me “dialogun dhe negociata të ndërsjella”.

“Pritja jonë nga Greqia në këmbim të qëndrimit tonë konstruktiv që ne kemi mbajtur që nga fillimi është se ajo do të heqë dorë nga qëndrimi i saj pa kompromis, si dhe veprimet dhe diskurset e saj që përshkallëzojnë tensionin dhe do të përpiqet të zgjidhë problemet me një qasje të sinqertë përmes dialogut dhe negociatave”, shtojnë burimet.