Grida Duma, nënkryetare e Partisë Demokratike, në një intervistë për “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, u shpreh se as vetë Sali Berisha nuk e beson se mund të kthehet në postin e kryeministrit të vendit.

“Sali Berisha as vetë nuk e mendon se mund të jetë kryeministër i vendit. Unë e njoh aftësinë e tij politike, duhet vlerësuar për këtë, por ai e di shumë mirë që kjo nuk ndodh. Qëllimi është që të tregojë se kjo parti është e tij”, theksoi Duma.

“Nga njëra anë, në Foltore ka individë që argumentojnë që PD-ja ka disa çështje për t’u zgjidhur, por nuk thonë thelbin, që në themel diskutimi është që Sali Berisha të bëhet kryetari i partisë dhe të jetë kandidati për kryeministër. Foltorja nuk nisi kështu, por nisi me një kundërvendim ndaj vendimit të SHBA-së.

Në takimet e para të Foltores, Sali Berisha e përjashtonte veten si kryetar i partisë. Evolimi e ka çuar ngjarjen që Berisha të ndryshojë”, shtoi Duma.

Në lidhje me Kuvendin Kombëtar të PD-së, Duma theksoi:

“Kuvend ka vetëm një. Për të gjithë interesi është që çdo ngjarje të jetë sa politike, dhe statutore, dhe demokratike. Nëse nuk i ka këto të treja, nuk do të zgjidhë kurrë asgjë. Unë mendoj se thirrja e Kuvendit në datën 18 dhjetor është zgjidhja dhe përgjigjja ndaj situatës. Nuk mund të bënim më sikur ngjarjet do të qetësoheshin vetë.

Thirrja e Kuvendit nga Lulzim Basha tregon përgjegjësi dhe besoj që data 18 e zgjidh këtë ngërç. Më kanë thënë që mbroj Bashën, por nuk është e vërtetë.

Në mbledhjen e fundit madje i thashë se ai, në emër të kohezionit të partisë, që është kohezion artificial, gjërat duhet të zgjidhen brenda partisë. I kam kërkuar që data 18 dhjetor të mos konceptohet si datë që dikush mban partinë, por si një datë ku të ketë reflektim real”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re