Një natë më parë kandidatja fituese e PD e 25 prillit për qarkun e Tiranës, Grida Duma, bëri një deklaratë bombë teksa tha publikisht se gjatë fushatës elektorale disa banda i kishin kërkuar bashkëpunim.

“Më erdhën disa banda gjatë fushatës, nga më të ndryshmet, u vetëofruan të na sjellin pushtetin me mënyrat e tyre duke shkuar në zonat e thella duke i kërcënuar banorët.

Më thanë t’ju financojmë, por duam poste në Bashkitë gjatë zgjedhjeve lokale dhe unë shkova në zyrë dhe bëra një bisedë 3 minutëshe me Lulzim Bashën.

I thashë këta persona më kanë ofruar këtë gjë, çfarë qëndrimi do mbani ju? Dhe unë e vlerësoj shumë gjestin e atij njeriu, që vetëm me një qasje dore më tha jo. Jo absolutisht.

Unë asnjëherë nuk kam pasur dyshime, dhe asnjëherë nuk do të kem, por duhet të vija në dijeni kryetarin e partisë.

Ne nuk mund të lejonim që të vinim në pushtet me këto lloj bandash. Ne jemi me kartën morale më të ndershme”, tha Duma, mbrëmjen e së hënës në një studio televizive.

Pasi, Grida Duma tha publikisht këtë lajm, mediat bënë punën e tyre dhe e transmetuan deklaratën e saj, një lajm me të vërtetë i pazakontë në këtë situatë pas zgjedhore.

Dhe vetëofrimi i bandave, se paskan qënë shumë që paskan “shënjuar” Grida Dumën për të vendosur bashkëpunim në funksion të përfitimit, ka ndodhur gjatë fushatës.

Pikërisht në momentet kur Lulzim Basha i bënte thirrje Edi Ramës që të lëshonte zyrën pasi fitorja e PD ishte e sigurtë dhe ndryshimi kishte ardhur.

Pikërisht një takim i tillë i Grida Dumës me bandat, që ishin vetëofruar për bashkëpunim për të ndihmuar PD për të ardhur në pushtet, duket të zbardhet.

Këtë detyrë e ka SPAK, i cili merret me krimet zgjedhore, i cili duhet ta thërrasë Dumën, për të mësuar të vërtetën e kësaj ngjarje, ku janë takuar, kur janë takuar dhe çfarë i kanë kërkuar konkretisht.

Pra cili ishte objekti i marrëveshjes që është ofruar, dhe kush ishin personat që i ishin  vetëofruar Grida Dumës për të bërë këtë marrëveshje?

Pra në çfarë ore dhe në çfarë vendi është bërë takimi, kush e kishte bërë ndërmjetësimin, kush janë këta njerëz që Grida Duma thotë, se iu përkasin bandave, duhet të tregojë dhe emrat dhe nga vijnë.

SPAK duhet ta thërrasë Grida Dumën që ta pyesë për këto elementë dhe për faktin se ajo deklaron se ka vënë në dijeni dhe kryetarin e PD Lulzim Basha. I cili dhe ai duhet të thirret për t’u pyetur pasi Duma ia ka treguar emrat e njerëzve të këtyre bandave, që sipas saj i kishte refuzuar.

Madje SPAK duhet të hetojë dhe faktin se përse nuk e ka bërë të ditur këtë fakt zyrtarja e lartë dhe kandidate për deputete e PD që në momentin kur është bërë takimi, ose sëpaku para zgjedhjeve, por ka gjetur kohën tani që PD humbi zgjedhjet e 25 prillit.

Janë shumë fakte misterioze, që në një drejtësi normale duhet të hetohet, pasi nuk besojmë se Grida Duma ka dashur të bëjë lajm bombë për të qënë në qendër të vëmendjes me një ngjarje të pandodhur. Si i bie që në vend që të vësh vetullat nxjerr dhe sytë!