Njeriu që do pasojë të ndjerin Anastas Janullatos në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare do të jetë Joan Belushi, deri më sot Mitropoliti i Korçës.

“Hirësia e tij Mitropoliti i Korçës Imzot Joani u zgjodh Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë dhe Primat i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

“Joani ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i të ndjerit Kryepiskop Anastas për 32 vjet, nga të cilat 27 vite si Mitropolit i Korçës. Ai është dalluar për veprën e tij baritore dhe kontributin në rindërtimin e Kishës, zhvillimin e arsimit teologjik dhe forcimin e veprimtarive bamirëse të Kishës. I diplomuar me rezultate të shkëlqyera në studimet teologjike në SHBA, ai u kthye në Shqipëri për të kontribuar përkrah Kryepiskopit Anastas në rimëkëmbjen e Kishës së shkatërruar të Shqipërisë. Që nga viti 1993 ka shërbyer si profesor në Akademinë Teologjike të Durrësit, përkthyes i shumë teksteve teologjike dhe autor i tekstit të parë të Dogmatikës në gjuhën shqipe. Ai themeloi revistën Tempulli, përfaqësoi Kishën në takime ndërortodokse dhe ndërkristiane dhe është nderuar me tituj të spikatur për kontributin e tij në kulturë, arsim dhe dialog ndërfetar”, shkruhet për të në një profil të tij nga Kisha Ortodokse.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko