Historiania Anne Kay është emëruar nga Mbreti Charles III për të shkruar biografinë zyrtare të nënës së tij, Elizabeth II, njoftoi Pallati i Buckingham-it.
Emërimi do t’i japë Anne Kay akses në dokumentet personale të Mbretëreshës, e cila vdiq në shtator 2022 pas 70 vitesh në fronin britanik, dhe mundësinë për të intervistuar njerëz në rrethin e saj të ngushtë, përfshirë anëtarët e familjes mbretërore.
Sipas Agjencisë Britanike të Lajmeve (PA), Charles III donte që një grua të shkruante biografinë zyrtare të nënës së tij.
“Do të bëj çmos për t’i bërë drejtësi jetës dhe punës së saj”, tha Anne Kay. Vepra e saj më e shquar është “Republika e Paqëndrueshme: Britania pa Kurorë”, e cila mbulon periudhën 11-vjeçare kur Britania ishte republikë pas ekzekutimit të Mbretit Charles I në vitin 1649.
Elizabeth II, e cila lindi 100 vjet më parë, më 21 prill 1926, ishte “një grua e jashtëzakonshme” që jetoi në “një shekull të shënuar nga trazira të mëdha”, vuri në dukje Anne Kay.
Biografitë zyrtare të anëtarëve të familjes mbretërore ndonjëherë kanë zbuluar detaje të papritura.
William Sawcross, një biograf i nënës së Elizabeth II, zbuloi se gruaja e George VI kishte vuajtur nga kanceri i zorrëve dhe i ishte nënshtruar trajtimit. Ai gjithashtu besonte se Mbreti Edward VIII ishte “i verbuar nga dashuria” kur abdikoi në vitin 1936 për t’u martuar me Wallis Simpson, një amerikane të divorcuar dy herë. /tesheshi.com/



