Dy ministrat e jashtëm të Maqedonisë dhe Hungarisë kanë zhvilluar një bisedë telefonike mëngjesin e kësaj të enjteje për ekstradimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski i cili ka kërkuar azil politik në Budapest.

 

Mediat hungareze shkruajnë se gjatë telefonatës, ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov, i tha homologut të tij Péter Szijjártó se kërkesa e Gruevski për statusin e refugjatit, nuk është çështje politike, por ligjore.

 

Megjithatë autoritetet hungareze kanë një afat 60 ditor në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për të shqyrtuar kërkesën për azil të ish kryeministrit që qeverisi Maqedoninë për rreth 1 dekadë.

 

Nga ana tjetër, autoritetet në Maqedoni bënë të ditur se janë marrë të gjitha masat për përgatitjen e dokumentacionit për ekstradimin e Gruevskit, kërkesë e cila pritet të finalizohet zyrtarisht javën e ardhshme.

 

Kryeministri Zoran Zaev pret bashkëpunimin e shtetit hungarez për zbatimin e ligjit dhe Gruevski të vuajë dënimin në vendin e tij.

 

Çështja Gruevski ka trazuar edhe politiken ne Budapest. Partitë opozitare hungareze, i kanë bërë thirrje qeverisë të arrestojë dhe ekstradojë sa më shpejt ish kryeministrin maqedonas. Sipas tyre kërkesa për azil është një skandal.

 

Nikolla Gruevski, i dënuar me 2 vite burg për shpërdorim detyre, i shpëtoi arrestimit ne Shkup. Ai dyshohet se u arratis i maskuar si grua, për shkak se nuk kishte pasaportë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re