Disa anëtarë të Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike mbërritën sërish sot në selinë e PD-së, por e gjetën përsëri derën e mbyllur.

Pas kësaj tentative të dështuar për të hyrë në ambientet e brendshme të PD, Aldo Bumçi në emër të Komisionit të Rithemelmit ka mbajtur një deklaratë për mediat.

Bumçi u shpreh se deri më tani Grupi për Rithemelimin e PD-së është treguar tolerant me Bashën, pasi ka dashur të mirën e demokratëve. Ndërsa paralajmëroi se më 8 janar do të çlirohet godina e PD-së, që sipas Bumçit është kthyer në një bunker.

“Kemi ardhur këtu bashkë me z. Strazimiri, Ivi Kason, me drejtuesit e tre degëve të Tiranës, Ali Demi, Xhamlliku dhe 21 dhjetori. Kishim caktuar një mbledhje pune dhe vend tjetër për ta bërë përveç shtëpisë sonë nuk ka.

Siç e shihni kjo është kthyer në bunker, një parti që ka qenë e mbyllur as në ditët më të vështira, as kur ka pasur qeverinë as në 97-tën. Për herë të parë në 30 vjet partia e Bashës ka mbyll dyert. Kujt i shërben kjo, kujt të mire i shërben? Të më gjej dikush një interes të qytetarëve, demokratëve, që opozita të kthehet në bunker, në burg.

Nuk i shërben askujt tjetër përç Bashës dhe Ramës. Kjo është kriminale, projekti për të zhdukur opozitën. Ka një opozitë tjetër ajo që mbushi Air Albania-n, ajo që nxorri 44 mijë demokratë më 18 dhjetor, dhe opozita është në këmbë, ditën e shtunë do ta çlirojë edhe këtë bunker”, tha Bumçi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re