Një grup prej 37 shpëtimtarësh të trajnuar nga Federata e Bosnjë e Hercegovinës udhëtoi sot drejt Türkiye-s për të ndihmuar popullatën e prekur nga tërmetet shkatërruese, raporton Anadolu.
Një grup i përbërë nga 17 anëtarë të Njësisë Federale të Specializuar për Shpëtim nga Rrënojat – Njësia Urbane e Kërkimit dhe Shpëtimit (Ekipi i USAR) u nis mëngjesin e sotëm nga Aeroporti Ndërkombëtar i Sarajevës, pasi mbrëmë 25 prej tyre, mjekë, dy qenë të trajnuar për kërkim, me automjete dhe pajisje të nevojshme u nisën përmes rrugës tokësore, ku gjithsej 42 pjesëtarë të njësisë kanë udhëtuar drejt Türkiye-s.
Në të njëjtin fluturim të kompanisë “Turk Hava Yollari”, e cila siguroi bileta për të gjithë shpëtimtarët, u nisën edhe 20 anëtarë të Shërbimit të Shpëtimit Malor të Qytetit të Ri të Sarajevës dhe u përcollën nga kryetari i komunës, Semir Efendiç dhe koordinatori i Agjencisë për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) Erdinc Isik.
Fluturimi ishte planifikuar për në orën 08:30, por u shty për shkak të kushteve të këqija të motit në Istanbul.
Të paktën 7.108 persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmeteve shkatërruese që goditën rajonet jugore të Türkiye-s të hënën, konfirmoi Administrata e Situatave Emergjente (AFAD). Në tërmetet shkatërruese në jug të vendit janë plagosur 40.910 persona.
Si pasojë e tërmetit në Sirinë fqinje, të paktën 2.530 persona humbën jetën dhe mijëra të tjerë janë plagosur.
Tërmeti me magnitudë 7.7 ballë të shkallës së Rihterit goditi pjesën jugore të Türkiye-s mëngjesin e së hënës, epiqendra e të cilit u regjistrua në qarkun Pazarcik të provincës Kahramanmaras.
Gjithashtu nga tërmeti janë prekur rëndë edhe provincat Gaziantep, Sanliurfa, Diyarbakir, Adana, Adiyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.
Pas kësaj, një tërmet i ri me magnitudë 7.6 ballë sipas shkallës së Rihterit goditi qarkun Elbistan, gjithashtu në Kahramanmaras, të hënën në orën 13:24 sipas kohës lokale.
Burimi: AA