Shkruan: Hamzi Ibraimi/Shkupi

Para disa ditësh, ushtarë dhe gjeneralë turq në pension në Republikën e Turqisë, dolën me një deklaratë të përbashkët duke mbrojtur marrëveshjen MONTREUX.

Në këtë deklaratë të përbashkët, ata dolën kundër prishjes së marrëveshjes ndërkombëtare “Montreux” në lidhje me lundrimin në ngushticat turke, të nënshkruar më 1936. Njëkohësisht, kjo bën të kuptohet se në njëfarë mënyre, direkt apo indirekt, ata kundërshtojnë projektin e “Kanalit të Stambollit” dhe përpjekjet e presidentit Rexhep Tajip Erdoğan për të hartuar një kushtetutë të re në vend.

Kjo gjendje të bën të mendosh nëse po përsëritet apo jo historia në Republikën e Turqisë?!

Siç dihet, në historinë e Turqisë moderne, nëse gjeneralët janë bërë bashkë kundër udhëheqësve të shtetit, atëherë në këtë vend ka pasur grusht-shtet ndaj atyre që kanë udhëhequr shtetin.

Gjatë gjithë historisë së themelimit të Turqisë moderne, që nga viti 1923, forcat e armatosura turke (TSK) kanë organizuar tre grusht-shtete me shumë pasoja, edhe pse ka pasur edhe shumë grusht-shtete të tjera të ndryshme.

Grusht-shteti i parë në Turqi ka ndodhur gjatë vitit 1960 ku kryeministri i atëhershëm, i ndjeri z. Adnan Menderes, u arrestua dhe u gjykua për “tradhti”.

Edhe pse këto akuza aspak nuk ishin të vërteta, ndikimi i madh i këtyre organizatave të zeza bënë që i ndjeri Adnan Menderes të shpallet tradhtar. Ndërsa grusht-shteti tjetër u realizua disa vite më vonë, më saktë në vitin 1980, ku edhe ky grusht-shtet rrëzoi qeverinë turke.

Por, grusht-shtetet nuk përfunduan me kaq. Edhe në vitin 1997, përsëri ndodhi një grusht-shtet i papritur ndaj kryeministrit të ndjerë Nexhmetin Erbakan.

Ndërkaq, në korrik të vitit 2016, lëvizja “Hizmet”, në krye me liderin e saj Fethullah Gylen, tentuan që të organizojnë një grusht-shtet duke përdorur ushtarët dhe disa komandantë të ushtrisë, të cilët i kishin nën kontroll për të realizuar këtë plan ogurzi, edhe pse në këtë plan ata dështuan dhe nuk patën sukses.

Siç dihet, kjo lëvizje ende ka njerëz të saj në funksione të ndryshme në këtë shtet. Ndërsa tash, mund të themi së po bëhen përpjekje nga këta 103 ushtarakë turq që dolën me deklaratë për mbrojtjen e marrëveshjes “Montreux”, për ta hequr vëmendjen dhe për të realizuar ndoshta edhe një grusht-shtet tjetër.

Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Gjatë fushatës presidenciale, kandidati rival i Donald Trump, Joe Biden gjatë fushatës së tij zgjedhore bëri deklaratë skandaloze duke thënë: “Nëse i fitoj këto zgjedhje, atëherë unë do të jem ai që do ta rrëzojë nga posti i tij, presidentin e Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdoğan.

Ai tha se këtë nuk do ta bëjë me anë të grusht-shtetit, por të gjithë këtë do ta bëjë duke i mbështetur liderët opozitarë dhe në këtë mënyrë do ta ndryshojë rrjedhën e pushtetit në Republikën e Turqisë.

Por, pas gjithë kësaj, nëse ne ndalemi dhe shikojmë deklaratën e dhënë nga përfaqësuesit e qeverisë turke, ata thanë: “Kjo atmosferë që është duke u krijuar në vendin tonë lë dyshimin se në lidhje me kthimin e shenjave të ndërhyrjes ushtarake në çështjet politike, është një mundësi e madhe që vendi të dëshmojë (përjetojë) edhe një përpjekje të re të grusht-shtetit.

Në gjithë këtë situatë, mund të kenë gisht si në grusht-shtetet e tjera, edhe vende të tjera të fuqishme të cilët duan që ta dobësojnë Turqinë duke mos e lënë të ketë suksese në armatime dhe në ngritjen ekonomike të vendit dhe planeve të cilat janë paraparë nga presidenti Rexhep Tajip Erdoğan.

E gjithë kjo situatë, vjen me deklarimin e presidentit të Turqisë duke thënë se tashmë duhet hartuar një kushtetutë e re për vendin dhe shtetin tonë.

Të gjithë e dimë se stabiliteti i Turqisë është shumë i rëndësishëm për shumë vende, posaçërisht edhe për vendet e rajonit ose shtetet e Ballkanit. Nëse shtetet perëndimore dhe ato evropiane nuk dëshirojnë që në Ballkan të ketë konflikte, atëherë Republika e Turqisë duhet që mos të ketë përpjekje të çfarëdo lloji për ta dëmtuar këtë vend, ngase nëse në këtë shtet lind “lufta qytetare”, atëherë kjo merr një hov të madh duke u përhapur në të gjitha vendet e tjera, veçanërisht në pjesën e Evropës dhe Ballkanit.

Kjo situatë nuk i konvenon aspak as shteteve perëndimore dhe as Evropës.

Për këtë arsye, stabiliteti i Republikës së Turqisë është shumë i rëndësishëm. Nëse dëshirojmë që të kemi stabilitet, paqe dhe qetësi në rajon dhe Ballkan, atëherë të gjithë kemi nevojë për një Turqi të qëndrueshme dhe aktive në luftën kundër terrorizmit. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë që mos të ketë problem, luftë, si dhe prishje të rendit dhe qetësisë në vendet e rajonit dhe Ballkanit.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re