Skip to content

Grusht Shteti në Gjermani?

Policia gjermane po kryen një operacion të madh kundër ekstremistëve të krahut të djathtë, të cilët dyshohet se kishin planifikuar të hynin në ndërtesën e parlamentit dhe të rrëzonin qeverinë, raporton Spiegel gjerman.

Forcat speciale të policisë gjermane veprojnë njëkohësisht në njëmbëdhjetë shtete federale.

U arrestuan 25 persona, meshkuj e femra, që ishin ose anëtarë të një organizate terroriste të krahut të djathtë ose e mbështesnin atë. Ndër komplotistët janë anëtarë të lëvizjes ekstreme Reichburger (qytetarë të Rajhut), të cilën policia gjermane e ka ndjekur për një kohë të gjatë për shkak të sulmeve të dhunshme dhe teorive raciste. Ai grup gjithashtu refuzon të njohë shtetin modern gjerman.

Të dyshuarit që u arrestuan janë pjesë e një grupi terrorist, qëllimi i të cilit është të përmbysë rendin ekzistues shtetëror në Gjermani dhe ta zëvendësojë atë me të tyren, dhe ata nuk e përjashtojnë dhunën kundër shtetit si një mjet për të arritur qëllimin, sipas Reuters.

Ata u arrestuan në shtetet gjermane të Baden-Vyrtemberg, Bavari, Berlin, Hesse, Saksonia e Ulët, Saksonia, Turingia, si dhe në Austri dhe Itali. Të arrestuarit do të merren në pyetje gjatë ditës.

Ministri i Drejtësisë Marco Buschmann njoftoi në Twitter se një “operacion i madh anti-terrorist” ishte duke u zhvilluar dhe se të arrestuarit “po planifikonin një sulm të armatosur ndaj organeve kushtetuese”.

Kryeprokurori tha se grupi kishte planifikuar një grusht shteti të dhunshëm që nga nëntori 2021.