Forcat e armatosura të Sudanit kanë vendosur në arrest shtëpie kryeministrin Abdallah Hamdok dhe kanë arrestuar disa ministra dhe liderë të disa shteteve federale dhe partive politike, njoftoi televizioni Al Hadath të hënën, duke cituar burime të paidentifikuara.

Ministria e Informacionit konfirmoi faktin, duke thënë se Hamdock u arrestua për shkak se nuk pranoi t’i bashkohej grushtit të shtetit.

Pasi u ndalua në shtëpi, ai u dërgua në një vend të panjohur.

Forcat e armatosura hynë gjithashtu në shtëpinë e këshilltarit të kryeministrit për media dhe e arrestuan atë, thanë burime në familjen e tij për Reuters.

Burimi i Al Hadath pretendon se në mesin e të arrestuarve janë ministri i Industrisë Ibrahim al-Sheikh, ministri i Informacionit Hamza Baloul dhe Guvernatori i Khartoum-it, Ayman Khalid.

Ushtria nuk e komentoi menjëherë informacionin.

Televizioni sudanez transmeton normalisht dhe burimet i thanë Reuters se interneti nuk duket të jetë i disponueshëm në kryeqytet.

Përpjekje për grusht shteti

Situata në Sudan është e tensionuar pas një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti në shtator dhe akuzave të ashpra midis ushtrisë dhe organeve politike që duhet të ndajnë pushtetin pas përmbysjes së ish-udhëheqësit Omar al-Bashir në 2019.

Bashir është i mbyllur dhe organet ushtarake dhe politike duhet të qeverisin së bashku vendin deri në zgjedhjet e vitit 2023.

Tensionet u përshkallëzuan këtë muaj pasi një koalicion i grupeve rebele dhe partive politike bashkuan forcat me ushtrinë dhe mbështetësit e ushtrisë organizuan protesta përpara pallatit presidencial, duke kërkuar shpërbërjen e autoriteteve civile.

Disa ministra morën pjesë në protesta të mëdha javën e kaluar në Khartoum dhe qytete të tjera sudaneze kundër mundësisë që ushtria të marrë pushtetin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re