Gjithnjë e më shumë detaje po bëhen të ditura mbi kontrollet dhe arrestimet për grushtin e shtetit në Gjermani. “Qytetarët e Rajhut” siç e thërrisnin veten ekstremistët e djathtë ishin kundër shtetit aktual dukë I qëndruar parimeve të vetëqeverisjes.

 

Bastisja dhe arrestimet që përfshinë edhe një ish-deputete te Bundestagut si dhe  një oficer të forcave elitare tregon sesa lart kishte shkuar ideologjia ekstremiste në hierarkinë e shtetit.

 

Akuzat e Prokurorit të Përgjithshëm për “Formimin e një organizate terroriste dhe përgatitjet për grusht shteti”, tregon natyrën e ashpër të organizatës. Sipas Prokurorit, grupi po përgatitej të pushtonte Bundestagun me forcë. Por nga ana tjetër deputetë të partisë së djathtë kanë shprehur keqardhjen për bastisjen, pasi sipas tyre s’mund të bëhet grusht shteti me 50 pensionistë.

 

Ndërsa Georg Majer, ministri i brendshëm i landit të Turingisë, tha se bazuar në përvojën e tij, pritet te ketë një valë të dytë arrestimesh. Sipas Majer, fantazitë e përmbysjes ishin bërë plane konkrete dhe këto qëndrime ishin pjesë e fjalimeve standarde të AFD-së në parlamentin e shtetit Turingian.

 

Ai pohoi se AfD është bërë gjithnjë e më shumë e radikalizuar dhe po përhap teori konspirative dhe ide për një grusht shteti.

 

Gjatë bastisjeve mbarëkombëtare dje janë arrestuar 22 anëtarë dhe tre mbështetës të organizatës së dyshuar terroriste, të cilët dyshohet se po përgatisnin një grusht shteti në Gjermani. Arrestime pati edhe në Austri dhe Itali, e në pranga ra edhe një shtetase ruse.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re