Aktori i mirënjohur  Gulielm Radoja në një intervistë për “A-Show” në “Syri TV” foli ndër të tjera edhe për ngjarjen e 17 Majit, kur u shemb Teatri Kombëtar.

“U nis shumë herët dhe pati një step by step qysh në kohë të vjetra kur u ndërtua në mënyrën më të çuditshme teatri i Rubairave dhe ne aktorët e TK-së hynim nga sqetulla e godinës. Ia arritën qëllimit, pak nga pak, e shembën. E shembën. Nën këmbët e një kulle do të ishte edhe teatri. Jo. Është identitet ai. Ka vende të tjera Tirana. O aty o s’ka. Na dhunuan. Ishte një dhunë që prodhoi një ndasi shumë të madhe.

Ne nuk e kemi pas njohur njëri-tjetrin. Shumica prej nesh u blenë, por secili para pasqyrës përgjigjet për fytyrën e vet. Pra, pushteti të shkel me këmbë dhe ata, jam i sigurtë, që fërkojnë duart se shkatërruan atë godinë në mënyrë të pabesë. Na tradhëtuan”. Sa i përket situatës politike në vend dhe atë çfarë po ndodh me Shqipërinë, aktori shprehur zhgënjimin e tij.

“Jemi bërë shumë tallava. Më duket se e thotë Kim Mehmeti, po bëhemi tallava-popull. Është prishur shija. Prej disa vitesh unë jam apartiak. Kam alergji për të gjitha llojet e partive, pasi ndjehem i zhgënjyer që në 91-shin.

Kam qenë një prej nismëtarëve për demokraci. Kandidat për deputet në zgjedhjet e para pluraliste. Jam tërhequr me koshiencë. Më vjen keq se jam i tradhtuar në gen. Ndjehem i tradhtuar. Jam rehat. Shoh filma dokumentarë, shoh filma me kartonë, nuk shoh lajme. Jam rehat”, tha ndër të tjera aktori Gulielm Radoja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re