Një shprehje thotë “Gusht e gunë”, por këtë herë nuk është rasti.
Muaji gusht do të vazhdojë të jetë përvëlim. Vala e të nxehtit ka
përfshirë një pjesë të mirë të Ballkanit. Fundjava parashikohet e nxehtë
dhe e lagësht.

“Temperaturat këto ditë janë 37-38. Por duke qenë se nga dje kemi
rritje të ndjeshme të lagështirës, kjo bën që në shumë zona temperaturat
të ndihen 5-6 gradë më shumë. Pra është një vapë mbytëse, zagushi. Sot
dhe nesër kryesisht veriu dhe zona të izoluara në qendër të kenë rebeshe
shiu, të shoqëruara me stuhi afatshkurtra ere”, shprehet Lajda Porja,
meteorologe.

Java që vjen do të jetë me temperatura të larta dhe pa reshje.

“Nga e hëna në vazhdim do të kemi përmirësim të motit në gjithë
Ultësirën Perëndimore, duke i lënë reshjet të fokusuara në zonat veri
dhe verilindore. Do kemi temperatura të larta deri në fund të muajit,
mot të qëndrueshëm për të gjithë ata që pushojnë në bregdet. Gjatë
gjithë këtyre ditëve të pranishme do të kemi lagështirën”, shton më tej
Lajda Porja.

Vapa ikën me gushtin, por meteorologët parashikojnë të kundërtën.

“Përsa i përket shtatorit, nuk është se presim ndonjë lajm të mirë,
freskim të motit. Pritet një rënie e lehtë e temperaturave, por 10
ditëshi i parë i shtatorit do të jetë zgjatim i gushtit, do të jetë i
nxehtë. Nuk do që ndihet si vjeshtë”, shprehet më tej meteorologia.

2019 ka hyrë në histori përsa i përket të nxehtit.

“Vera e këtij viti është cilësuar më e nxehta në histori në Europë,
kryesisht për Europën qendrore. Dhe për një pjesë të Shqipërisë është
cilësuar si një verë e nxehtë. Nuk mund të themi më e nxehta, pasi kemi
patur vera akoma më të nxehta. Mund të them që edhe 2019 do të mbyllet
si një vit i nxehtë”, shprehet Porja. /TCH/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re