Shtatëdhjetë e pesë persona humbën jetën si pasojë e sulmeve të djeshme ajrore të regjimit të Bashar al-Assadit në rajonin e rrethuar të Gutës Lindore në afërsi të kryeqytetit sirian Damask.

Gazetarët e AA-së në Gutën Lindore njoftojnë se regjimi i Assadit ka kryer sulme intensive ajrore në rajon që nga orët e mëngjesit.

Sipas të dhënave të siguruara nga burimet e Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha), 27 civilë kanë humbur jetën në Arbin, 17 në Xhisrin, 2 në Zemelka, 3 në Sakba, 3 në Misraba, 1 në Bejt Sava, 1 në Medjere, 4 në Hizze, 7 në Hamurije, 8 në Duma dhe 2 në Haresta.

Ekipet e mbrojtjes civile janë duke i vazhduar aktivitetet e kërkim-shpëtimit, ndërkohë që theksojnë se numri i të vdekurve mund të rritet.

– Që nga 29 dhjetori qindra të vdekur

Që nga 29 dhjetori i vitit 2017, kur regjimi intensifikoi sulmet në rajon, e deri më tani, numri i të vdekurve ka shkuar në 524, kurse ai i të plagosurve në afër dy mijë, shkruan aa. Në Gutën Lindore, rajon i kontrolluar nga opozitarët, jetojnë afro 400 mijë civilë.

Me marrëveshjen e Astanas, Guta Lindore është shpallur “zonë jokonfliktuale”. Megjithatë, regjimi i Bashar al-Assadit, garantues i të cilit është Rusia, ka shtuar bllokadën e rajonit që nga muaji prill i vitit të kaluar, ndërkaq muajve të fundit sulmet janë intensifikuar.

Qindra civilë të sëmurë presin të evakuohen urgjentisht nga rajoni në të cilin kriza humanitare është thelluar. Shumica e të sëmurëve janë fëmijë ose persona që vuajnë nga kanceri në fazë të avancuar. Shumë foshnja dhe fëmijë në Gutën Lindore kanë humbur luftën për mbijetesë për shkak të urisë dhe mungesës së barnave./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re