Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mos e braktisin organizatën e OKB-së për ndihmë të refugjatëve palestinezë (UNRWA), e cila përballet me një mungesë të madhe të fondeve.

“Duhet të bëjmë çmos që të vazhdojmë me shpërndarjen e ushqimeve për refugjatët, që shkollat të vazhdojnë të punojnë ashtu që njerëzit të mos e humbin shpresën”, tha Guterres në konferencën e mbrëmshme të donatorëve të UNRWA-s.

Duke vënë në dukje se miliona refugjatë palestinezë në rajon ende vazhdojnë të llogarisin në bashkësinë ndërkombëtare, Guterres ka thënë se këtyre njerëzve duhet lehtësuar vuajtjet dhe të ndihmohen në ndërtimin e një të ardhme më të mirë.

“Ata llogarisin te ne tani. Ju ftoj të gjithëve që të mbyllim së bashku mungesat e fondeve për punën e kësaj agjencie”, tha Guterres.

UNRWA është një agjenci që ka të bëjë me palestinezët e dëbuar që ndodhen në Gaza, Bregun Perëndimor, Jordani, Liban dhe Siri.

Në fillim të këtij viti, SHBA-të zvogëluan fondet për UNRWA-në nga 125 milionë në 60 milionë dollarë për mos pranimin palestinez të ndërmjetësimit amerikan në asnjë proces të paqes në Lindjen e Mesme, e cila erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump njohu Kudsin si kryeqytet të Izraelit.

Pjesëmarrësve në konferencë iu drejtua edhe ambasadori turk në OKB, Feridun Sinirlioglu i cili theksoi rëndësinë e misionit të UNRWA-së dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të marrin përgjegjësi, shkruan aa. “Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të mbështetur financimin e misionit. UNRWA nuk është e rëndësishme vetëm për palestinezët në pesë rajone, por për të gjithë rajonin dhe botën. Turqia ka qenë dhe do të mbetet një mbështetëse e misionit”, tha Sinirlioglu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re