Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka deklaruar se vendosja e kufizimeve të udhëtimit nga disa vende ndaj Afrikës për shkak të llojit Omicron të koronavirusit të ri (COVID-19) janë “aparteid” dhe të papranueshme.

Në një konferencë të përbashkët për media në qendrën e OKB-së me kryetarin e Komisionit të Unionit Afrikan, Moussa Faki Mahamat, shefi i OKB-së vlerësoi se vendosja e kufizimit të udhëtimit ndaj çdo vendi për shkak të pandemisë COVID-19 është në cilësinë e “dënimit”.

Kufizimet në fjalë Guterres i cilësoi si “aparteid i udhëtimeve” dhe theksoi se këto janë të papranueshme. Ai shtoi se rruga e vetme për të pakësuar rrezikun e transmetimit të COVID-19 gjatë angazhimeve të udhëtimit dhe atij ekonomik është testimi i vazhdueshëm i udhëtarëve.

Edhe kreu i Komisionit të Unionit Afrikan dënoi kufizimet e udhëtimit që zbatohen ndaj vendeve afrikane për shkak të pandemisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) më 25 nëntor njoftoi se në Republikën e Afrikës së Jugut u përcaktua lloji B.1.1.529 si “Omicron”.

Shumë vende, përfshirë edhe Turqinë, për shkak të llojit “Omicron” vendosën të zbatojnë ndalesën e udhëtimit ndaj Afrikës së Jugut dhe disa vendeve të Afrikës.

Regjimi aparteid i zbatuar si një politikë zyrtare shtetërore për 46 vite që nga viti 1948 në Afrikën e Jugut, merrte për bazë dominimin e popullsisë së pakicës së bardhë me origjinë evropiane në vend ndaj personave me ngjyrë dhe racave të tjera.

Në këtë kuadër, afrikano-jugorët që nuk ishin të bardhë trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë dhe kundër personave me ngjyrë ushtrohej presion dhe dhunë serioze.

Regjimi aparteid që nga vitet e 1980’ta u përball me presione dhe sanksione të ashpra të komunitetit ndërkombëtar dhe përfundoi zyrtarisht në vitin 1994 me ardhjen në pushtet të Nelson Mandela-s, presidentit të parë me ngjyrë të Afrikës së Jugut.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re