Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje për zgjidhje politike për t’i dhënë fund luftës civile në Siri, e cila filloi sot 11 vjet më parë.

Në një mesazh me rastin e 11-vjetorit të luftës në Siri, Guterres tha se ka kaluar edhe një vit lufte, e cila la gjurmë tragjike dhe shkatërroi atë vend.

Duke treguar për shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj të cilave populli sirian është i ekspozuar sistematikisht, Guterres tha se është një shkatërrim kaq i thellë dhe i madh që rrallë është parë në historinë moderne të njerëzimit.

“Kriza ekonomike e thelluar nga lufta i ka ngritur nevojat humanitare në një nivel më të lartë se kurrë që nga fillimi i krizës në Siri. Miliona njerëz të zhvendosur dhe refugjatë në këtë vend po luftojnë për të mbijetuar në kushtet më të vështira”, tha Guterres.

Ai bëri thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje politike për t’i dhënë fund luftës në Siri.

Kreu i OKB-së tha se një zgjidhje politike është rruga që duhet të plotësojë nevojat e sirianëve, të krijojë kushte për kthimin e sigurt, dinjitoz dhe vullnetar të refugjatëve dhe të përcaktojë kornizën për luftën kundër terrorizmit.

“Ne nuk mund ta tradhtojmë popullin sirian. Lufta duhet të përfundojë, ligji ndërkombëtar humanitar duhet të respektohet. Unë u bëj thirrje të gjitha palëve t’i kthehen procesit politik me lehtësimin e OKB-së”, tha Guterres.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re