Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, i ka shprehur pesë anëtarëve të përhershëm të OKB-së shqetësimet rreth rrezikut nga situata aktuale në Siri, duke kërkuar parandalimin e daljes së situatës nga kontrolli

Në një deklaratë me shkrim, Guterres është shprehur i brengosur nga mosarritja e një konsensusi për sa i përket hetimit të përdorimit të armëve kimike në Siri në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Shefi i OKB-së theksoi se janë zhvilluar kontakte me pesë anëtarët e përhershëm të KS-OKB-së në lidhje me tensionet e rritura pas shqyrtimit të mundësisë për ndërhyrje në Siri nga ana e SHBA-së, që erdhi si rezultat i sulmit në Duma të Gutës Lindore.

Ai njoftoi se gjatë këtyre kontakteve ka shpalosur shqetësimet në lidhje me rreziqet që burojnë nga moszgjidhja aktuale e problemit.

“Parandalojeni daljen e situatës nga kontrolli”, ka thënë Guterres.

Ndryshe, forcat e regjimit të Asadit goditën disa objektiva në qytetin Duma të rajonit të rrethuar të Gutës Lindore të shtunën, duke përdorur një gaz toksik, i cili la të paktën 78 civilë të vdekur.

Rusia vendosi veto ndaj një projekt-rezolute të paraqitur nga SHBA në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që parashihte hetimin e sulmit kimik brenda kornizave të OKB-së dhe krijimin e një mekanizmi për përcaktimin e përgjegjësve.

Ndërkaq, Nikki Haley, ambasadorja e SHBA-ve në OKB, ka thënë se “SHBA do të përgjigjet ndaj sulmit me armë kimike në Siri, pavarësisht nëse KS-OKB do të ndërmarrë masa”, shkruan aa. Presidenti amerikan Donald Trump më herët ka deklaruar se në tryezë gjendet edhe alternativa ushtarake, duke shtuar se edhe presidenti rus Vladimir Putin “do të paguajë çmim” nëse ka përgjegjësi mbi sulmin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re