Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, deklaroi se rrjetet sociale dhe ata që reklamojnë në to janë bashkëfajtorë në përhapjen e ekstremizmit dhe racizmit.

“Të shtyrë nga fitimi, ata e kthyen ekstremizmin nga margjina në rrjedhën kryesore,” tha ai.

“Duke përdorur algoritme që përforcojnë urrejtjen për t’i mbajtur përdoruesit të mbërthyer në ekranet e tyre, platformat e mediave sociale bëhen bashkëfajtorë në përhapjen e dhunës, siç bëjnë reklamuesit që subvencionojnë këtë model biznesi,” tha Guterres gjatë një fjalimi për Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Fuqia e rrjeteve

Guterres ka shprehur prej kohësh shqetësim për fuqinë që zotërojnë mediat sociale dhe ka bërë thirrje për rregullim më të mirë për të qartësuar llogaridhënien dhe për të përmirësuar transparencën.

“Ne e dimë se si gjuha e urrejtjes shndërrohet lehtësisht në një krim urrejtjeje, se si dhuna verbale ushqen dhunën fizike, se si dëmtohet diversiteti dhe kohezioni social, si dhe vlerat dhe parimet që na lidhin së bashku”, tha Guterres. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re