Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me zj. Randi Davis, Përfaqësuese e Përhershme e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Shqipëri. Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet ekonomike në vend, nismat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë dhe mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Në nisje të takimit, zj. Randi Davis përgëzoi Bankën e Shqipërisë për punën e saj në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit.
Guvernatori Sejko, nga ana e tij, prezantoi një panoramë të zhvillimeve më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, duke theksuar se ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe e atij financiar mbetet në qendër të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë si të rëndësishëm për adresimin e sfidave të reja me të cilat përballet ekonomia.
Në vijim, përfaqësuesja e UNDP-së vuri në dukje se një sërë nismash të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë gjatë viteve të fundit përputhen me prioritetet e projekteve të zhvillimit të UNDP-së në Shqipëri. Në veçanti, ajo nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit në fusha që lidhen me qëndrueshmërinë, përfshirjen financiare dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Në këtë kontekst, Guvernatori Sejko u ndal te puna e Bankës së Shqipërisë për integrimin e faktorëve mjedisorë dhe klimatikë në sektorin financiar. Ai theksoi se adresimi i rreziqeve që lidhen me ndryshimet klimatike dhe promovimi i financave të gjelbra janë gjithnjë e më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e sistemit financiar.
Nga ana e saj, zj. Davis vlerësoi përpjekjet e Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim dhe shprehu gatishmërinë e UNDP-së për të mbështetur nismat që kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe kapaciteteve të aktorëve të sektorit financiar për çështjet klimatike dhe mjedisore.
Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit ishte edukimi financiar dhe digjital. Guvernatori Sejko theksoi se rritja e kulturës financiare të publikut është një element i rëndësishëm për forcimin e përfshirjes financiare dhe përdorimin e sigurt të shërbimeve financiare. Ai prezantoi programet dhe aktivitetet e Bankës së Shqipërisë në këtë fushë, si dhe nismat për zhvillimin e sistemeve të pagesave dhe forcimin e sigurisë kibernetike.
Përfaqësuesja e UNDP-së i vlerësoi këto iniciativa dhe evidentoi punën e organizatës në mbështetje të rritjes së edukimit financiar të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) në Shqipëri. Ajo e konsideroi këtë një fushë me potencial të veçantë për shkëmbim eksperiencash dhe zhvillim të nismave të përbashkëta, veçanërisht në drejtim të përmirësimit të aksesit në financim dhe forcimit të kapaciteteve të SME-ve.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu procesi i integrimit evropian të Shqipërisë. Guvernatori Sejko nënvizoi se integrimi në Bashkimin Evropian është një prioritet strategjik për vendin, ndërsa përfaqësuesja e UNDP-së theksoi rëndësinë e mbështetjes së reformave institucionale dhe përafrimit të politikave me standardet evropiane.
Në përfundim, të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vijuar dhe forcuar bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët, veçanërisht në drejtim të financave të gjelbra, edukimit financiar dhe digjital, zhvillimit të sistemeve të pagesave, mbështetjes së SME-ve dhe adresimit të sfidave që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm.
Bashkëpunimi i mëtejshëm ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe UNDP-së synon të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe financiare të vendit, si dhe në mbështetjen e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt integrimit evropian.
