Në datën 7 shtator 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe përfaqësues të tjerë të saj zhvilluan një takim pune me një delegacion të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

 

Qëllimi i takimit ishte prezantimi i Përfaqësuesit të ri Rezident Rajonal për Ballkanin Perëndimor të FMN-së, z. Sebastian Sosa, i cili do të zëvendësojë në këtë detyrë zj. Stephanie Eble, e cila përfundoi me sukses mandatin e saj.

 

Z.Sosa është një ekonomist me përvojë, i cili ka punuar në një sërë detyrash në vende dhe rajone të ndryshme si: Maqedonia e Veriut, Serbia, Spanja, Kili, Meksika, Bolivia, Uruguai dhe Libani.

 

Fillimisht, Guvernatori Sejko i drejtoi një falënderim të veçantë zj. Stephanie Eble për kontributin e dhënë gjatë këtyre viteve, si dhe angazhimin e saj në asistencat e ndryshme teknike të ofruara për Bankën e Shqipërisë, kryesisht në fushat e politikës monetare, statistikave dhe mbikëqyrjes bankare.

 

Në vijim, Guvernatori Sejko kreu një ekspoze të panoramës ekonomike në vend të fokusuar në ecurinë e çmimeve, zhvillimet në sistemin financiar e bankar, si dhe pritshmëritë lidhur me treguesit ekonomikë në të ardhmen.

 

Ai u shpreh se të dhënat zyrtare tregojnë se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme të qëndrueshme, me një rritje ekonomike prej 4.8% në vitin 2022 dhe pritet të rritet gjatë viteve në vazhdim. Lidhur me stabilitetin e çmimeve, Guvernatori theksoi se inflacioni në vend parashikohet të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit 2024.

Për sa i përket sektorit bankar, Guvernatori u shpreh se ky sektor ka vijuar veprimtarinë në mënyrë të qëndrueshme, me nivele të përshtatshme të treguesve të përfitueshmërisë, me një përmirësim të cilësisë së kredisë dhe me një ekspozim të kontrolluar ndaj rreziqeve të ndryshme.

 

Më tej, Guvernatori u ndal në qëndrimin e politikës monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Ai u shpreh se politika monetare e ndjekur ka pasur një rol pozitiv në ecurinë e ekonomisë në vend, duke ndihmuar në kontrollin e presioneve të brendshme inflacioniste dhe duke mundësuar funksionimin normal të tregjeve financiare. Gjithashtu, ky shtrëngim ka qenë në përputhje me drejtimin e përgjithshëm të politikës monetare në BE.

 

Ndërkohë, zj. Stephanie Eble vlerësoi punën dhe rezultatet e arritura nga Banka e Shqipërisë në drejtim të forcimit të stabilitetit monetar e financiar të vendit. Në veçanti, zj. Eble u ndal te rëndësia e kthimit të inflacionit në objektiv dhe shprehu mbështetjen ndaj masave të Bankës së Shqipërisë për të vijuar me normalizimin e politikës monetare.

 

Më tej, ata inkurajuan Bankën e Shqipërisë të vijojë monitorimin e vazhdueshëm të situatës, si dhe koordinimin e politikave me autoritetet shqiptare, duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur.

 

Në përfundim të takimit, Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e FMN-së theksuan nevojën dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të shkëlqyer midis dy institucioneve dhe vijimit të ofrimit të asistencës teknike në të ardhmen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re